Secondary Adv

Merkel: Investimet Gjermane ne Shqiperi gati, forconi ligjin

Shqipëria dhe Gjermania kanë mundësi për të arritur rezultate edhe më të mira në bashkëpunimin ekonomik, por për këtë Shqipëria duhet të krijojë kushte ligjore të besueshme për investitorët gjermanë.


Deklarata e kancelares gjermane, Angela Merkel, është bërë dje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Kancelarja informoi më tej mbi diskutimet me kreun e qeverisë shqiptare sa i përket marrëdhënieve dypalëshe apo dhe bashkëpunimin rajonal. Rëndësia e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve u theksua fort edhe në Forumin Ekonomik gjermano-shqiptar. Gjatë fjalës së tij në këtë Forum Rama tha se Shqipëria është në luftë të vazhdueshme me imazhin dekurajues që është krijuar tek investitorët e huaj për vendin tonë.


Bashkëpunimi ekonomik
Kryeministri Rama e ka nisur fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin Merkel me një mirënjohje për “dorështrëngimin e Shqipërisë dhe Gjermanisë”, që nënkupton, sipas tij, vëmendjen e Berlinit ndaj rajonit për çështje shumë të gjera. “Kjo vizitë është një fakt kuptimplotë i bashkëpunimit dhe vullnetit për të forcuar partneritetin mes nesh. Zonja kancelare, ju falënderoj për mbështetjen tuaj për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe integrimin e saj”, tha Rama. Nga ana e saj, kancelarja Merkel shprehu “kënaqësinë e madhe” të saj që mbajti premtimin për të ardhur në Tiranë. Ajo theksoi se kjo vizitë duhet të shërbejë si shtysë për të forcuar partneritetin ekonomik mes dy vendeve.


“Unë mendoj që kemi mundësi edhe më të mëdha për të arritur rezultate edhe më të mira në bashkëpunimin tonë ekonomik. Mendoj se për Shqipërinë janë mjaft të rëndësishme krijimi i kushteve ligjore të besueshme sepse mendoj se investitorët gjerman sigurisht kanë nevojën për tu besuar këtyre kushteve dhe situatës juridike. ”, deklaroi Merkel. Nevojën për garanci ligjore kancelarja e theksoi edhe gjatë fjalës së saj në Forumin Ekonomik. Në këtë kuadër, sipas kancelares gjermane, ligji i ri për investimet e reja të huaja sikurse dhe krijimi i zonave ekonomike me status të veçantë janë hapa të rëndësishëm. “Duhet thënë se ka edhe pengesa të tjera për kapërcimin e të cilave duhet punuar. Si për shembull krijimi apo ndërtimi i një administrate eficente publike apo lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, - tha ajo.


Ndërkohë që kryeministri pranoi se Shqipëria është në luftë me imazhin dekurajues që sipas tij, është krijuar tek investitorët prej disa vitesh. “Shenjat e kohëve të fundit janë inkurajuese por jemi ende në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar tek investitorët për vendin tonë për vite të tera si dhe po ashtu me korrupsionin në drejtësi që përbën një kancer në shtetin shqiptar. Kapërcimi i 40 shkallëve në raportin e BB-së për ‘Doing Business’ qysh në vitin e parë të qeverisjes sonë, arritjet e konsiderueshme në luftën kundër krimit, reforma rrënjësore dhe e suksesshme në fushën e energjisë dhe ndalimi i epidemisë së ndërtimeve pa leje kanë pasur efekt pozitiv edhe për imazhin e Shqipërisë dhe për rritjen e besimit të investitorëve tek Shqipëria”, theksoi Rama.


Lidhur me reformat e ndërmarrja nga qeveria shqiptare, duke veçuar reformën në drejtësi, kancelarja gjermane nënvizoi se Shqipëria ka mundësinë të përfitojë nga ekspertizat evropiane. “Shqipëria ka mundësinë të shfrytëzojë përvojat më të mira të Evropës në mënyrë që të marrë vendimet më pozitive dhe më rëndësishme, sidomos në kuadër të luftës kundër të luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Unë jam shumë e sigurt që kemi mundësi të mira për të bashkëpunuar, sikurse mund të jetë sektori i turizmit, i furnizimit me energji elektrike, telekomunikacionit, vetëm për të përmendur disa prej këtyre shembujve. Mendoj që politika mund të angazhohet në krijimin e kontakteve më të shumta në këtë drejtim”, tha Merkel, në konferencën e përbashkët me Ramën.



Rama: Në vjeshtë plotësojmë kushtet. Merkel: Ka progres, iu mbështesim
Kryeministri Edi Rama premton se deri në vjeshtë Shqipëria do të plotësojë të gjitha kushtet e integrimit në Bashkimin Evropian. “Duke pasur në tryezën tonë të punës të gjithë listën e kërkesave që duhet të plotësojmë bazuar në pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Evropian, ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë, që në fund të vjeshtës së këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha, përfshirë edhe paketën e reformës në drejtësi, që do t’i kalojë parlamentit për miratim si një nga reformat më rrënjësore të bëra ndonjëherë në Shqipëri, prej çerek shekulli tanimë. Në atë moment na lind e drejta të përkojmë një datë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE”, deklaroi dje Rama, duke shtuar se ky është një proces që në radhë të parë, vlerën e ka këtu dhe e ka për shqiptarët.


“Gjithçka që po bëjmë nuk janë detyra që i bëjmë se na i kërkojnë në Bruksel, por janë detyra që i vlejnë modernizimit të shtetit dhe demokratizimit të shoqërisë këtu tek ne. Me të kaluar në fazën kur ne do të kemi përmbushur të gjitha detyrat, unë kam bindjen që Kancelarja do të jetë e para që do të na mbështesë për të hapur negociatat”, deklaroi kryeministri. I pyetur nga mediat gjermane se sa e besueshme është perspektiva evropiane për Shqipërinë, kur vende të tjera duan të dalin jashtë saj, kryeministri shqiptar tha se perspektiva e BE-së nuk është një perspektivë e ndarë për vendet që janë sot në BE dhe për vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, por është një perspektivë e përbashkët.


“Nuk besoj që ka mendje normale në BE që duan ta shohim kufirin e konfliktit dhe të kërcënimit nga palë të treta në anën tjetër të Adriatikut dhe ta lënë Ballkanin, si një zonë ku sot kemi në kushtet më të mira që kemi qenë ndonjëherë, vetëm sepse kemi shtypur të gjithë një fjalë kyç, që është Evropa. Por nesër, nëse ne e humbasim këtë fjalë kyç, atëherë jo nuk është keq vetëm për fëmijët tanë, por është keq edhe për fëmijët tuaj, nuk do të ishte tragjedi vetëm për Ballkanin, por për gjithë Europën. Nga ana tjetër, për të qenë i sinqertë deri në fund, unë e di që dukemi pak si jashtë mode, ne në Ballkan, që duam të hyjmë me çdo kusht në BE, ndërkohë që ka të tjerë që duan të dalin. E kuptoj këtë, por ne preferojmë të jemi jashtë mode, sesa t’i bashkohemi një vale antieuropiane, që është një valë për të dalë nga historia”, theksoi ai. Rama ka falënderuar kancelaren gjermane për mbështetjen në këtë proces.

 

Ndërsa kancelarja Angela Merkel deklaroi se nuk ka afate të qarta në procesin e integrimit, por vlerësoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara.
“Këtu ka prioritete të caktuara, të cilat nuk i vendos unë, por është Komisioni Evropian, ai që vendos nëse Shqipëria i ka përmbushur kushte apo prioritete të caktuara. Më lejoni të përmend, për shembull, prioritetin e reformës në sistemin e drejtësi. Është bërë në fakt progres në këtë drejtim, por nuk është realizuar në mënyrë të plotë. Sigurisht që Komisioni Evropian i kushton rëndësi realizimit të plotë dhe më pas, edhe faktit nëse ajo çka është në letër zbatohet në mënyrë të plotë. Unë e di tanimë që shumë vende presin që ky proces të shkojë përpara dhe thonë pse zgjatet kaq shumë ky proces. Por do të doja t’i siguroja se ky nuk është një proces që ne e ngadalësojmë në mënyrë artificiale. Ne duam anëtarësimin e vendit tuaj dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por është një proces, i cili vlerësohet herë pas here, në momente të caktuara. Gjithsesi, në përgjithësi mund të them se Shqipëria ka bërë progres mjaft të mirë”, tha Merkel.


Jo azilantë nga Shqipëria, por fuqi punëtore të kualifikuar
Ashtu siç pritej, çështja e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani dhe jo vetëm, por në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian, ishte një nga temat kyçe të bisedës mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe kryeministrit Edi Rama. Temë kjo që nisi që prej bashkëbisedimit mes tyre në selinë e qeverisë dhe vazhdoi në konferencën e përbashkët për shtyp, apo edhe gjatë fjalëve të mbajtura në Forumin Ekonomik. Në lidhje me këtë problem shqetësues, kryeministri Rama u shpreh se e dimë që shqiptarët nuk kanë të drejtë për të kërkuar azil në vendet e BE-së, por nënvizoi faktin se ky problem social mund të zgjidhet me ndihmën e BE-së, përmes mbështetjes politike dhe ekonomike. “Për problemin e migrimit ndamë të njëjtin shqetësim serioz. Ne e dimë fare mirë se shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në Bashkimin Evropian.


Por kjo është një çështje që duhet parë, jo vetëm si problem sigurie, gjë për të cilën bashkëpunimi ynë me Gjermaninë dhe me vendet e BE-së ka qenë e mbetet në nivelin më të lartë, po edhe si një problem social që mund të lehtësohet ndjeshëm përmes mbështetjes ekonomike dhe politike të BE-së ndaj vendit tonë”, tha Rama. Ai shtoi se shpresa për punësim real dhe mirëqenie është një shtysë e fortë në këtë drejtim. “Konfirmimi nga ana e Bashkimit Evropian, i progresit të bërë nga vendi ynë pas marrjes së statusit të vendit kandidat, përmes çeljes së fazës tjetër të procesit të integrimit, do të fuqizonte shumë solidaritetin në Shqipëri dhe mes Shqipërisë e Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama.


Nga ana e saj, kancelaria Merkel u shpreh se Gjermania nuk ka nevojë për azilantë, por për fuqi punëtore të kualifikuar, duke nënvizuar faktin se do të ketë bashkëpunim në arsimin profesional apo në profesionet e shërbimit. “Azil kërkimi ishte një nga temat e bisedës sonë. Kemi shkëmbyer ide se çfarë mund të bëhet në të ardhmen në këtë drejtim, duke bërë të qarta se cilat do të ishin të domosdoshme në këtë drejtim, si diplomat për infermierë etj. Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të ishin azilantë, por Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar dhe Shqipëria e ofron këtë fuqi punëtore. Nuk mundet që nga një vend që kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, të ketë njerëz që ikin të kërkojnë azil nëpër Evropë!”, tha Merkel.


Më të lexuarat