Secondary Adv

Abuzimi me karburantet, gjobat nga 100 mije deri ne 3 milione leke

Brenda një muaji janë gjobitur 14 subjekte të tregtimit të karburanteve. Në njoftimin për media, ISHTI bën me dije se 3 prej tyre janë gjobitur për mungesë dokumentacioni dhe 11 të tjera për tregtim të karburantevedhe nënprodukteve jashtë standardit.


Nga të dhënat e Inspektoratit vërehet se disa nga subjektet e gjobitura janë përsëritëse në shkeljet e konstatuara, ndërsa gjobat variojnë nga 100.000- 3.000.000 lekë. Operacioni për kontrollin e cilësisë së karburantit dhe dokumentacionit të pikave të tregtimit të karburantit me pakicë është shtrirë në të gjithë vendin dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.


Ndërkohë që Inspektorati Qendror Teknik ka vendosur 42 gjoba subjekteve që abuzojnë me cilësinë e karburantit ose shkelin ligjin për tregtimin e tij. Bazuar në inspektimet e muajve dhjetor 2014 – janar 2015, nga Inspektorati Qendror Teknik janë gjobitur në total 42 subjekte, të cilat tregtojnë lëndë hidrokarbure. Përkatësisht 21 subjekte për mungesë dokumentacioni dhe 21 për cilësinë e karburanteve. Ndërkohë, IQT publikon prej muajsh rezultatet e kontrolleve dhe listën e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masë ndëshkimore.


Inspektorati Qendror Teknik publikon listën e subjekteve ndaj të cilave janë marrë masa me gjobë për mosrespektim të detyrimeve dhe kërkesave ligjore sa u takon treguesve të cilësisë dhe sigurisë në tregtimin e lëndëve hidrokarbure. Gjatë muajit nëntor 2014, Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit ka vendosur masën e gjobës për 43 subjekte tregtimi. Gjatë kontrollit në këtë muaj, në 31 prej këtyre subjekteve janë konstatuar mungesa ose mangësi të dokumentacionit tekniko-ligjor ndërsa për 12 raste ka pasur probleme me standardin e pikës së flakërimit apo përqindjes së squfurit.


Gjatë muajit dhjetor 2014, pas kontrolleve të ushtruara nga Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit janë vendosur 18 gjoba. Gjatë kontrollit në këtë muaj në 11 raste u konstatua mungesë e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe në shtatë raste probleme me treguesit e pikës së flakërimit dhe përqindjen e squfurit.


Masat
Tregtimi i naftës dhe gazit me pakicë do të kontrollohet, veç Inspektoratit Qendror Teknik, edhe nga Inspektorati i Kontrollit të Tregut, që do të krijohet pas miratimit të ligjit për ngritjen e kësaj strukture. Ministria e Energjetikës dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik, kanë gati projektligjin “Për një ndryshim në ligjin “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”.


IQT do të kontrollojë aspektit teknik, ndërsa Inspektorati i ri do të kontrollojë cilësinë dhe sasinë e karburanteve. IQT sot kontrollon sigurimin teknik të të gjitha produkteve të hidrokarbureve, ndërsa malli që blen qytetari në çdo pikë karburanti, sot e tutje do të kontrollohet nga ky Inspektorat i mbikëqyrjes së tregut.


Më të lexuarat