Secondary Adv

Ja cmimet e reja per shitje te banesave ne te gjithe vendin

Çmimi i shitjes dhe blerjes së banesave në të gjithë vendin do të ndryshojë edhe këtë vit. Ndërsa Tirana do të mbetet me çmimet e vitit 2014, jo e njëjta gjë mund të thuhet për zonat e tjera të vendit, në Veri, Jug apo Shqipërinë e mesme.


Këshilli i Ministrave ka miratuar çmimet e reja referencë të apartamenteve në Tiranë si dhe në të gjitha rrethet e tjera të vendit. Përmes një Udhëzimi të publikuar në Fletoren Zyrtare, Qeveria ka miratuar kostot e reja mesatare në ndërtim, si dhe çmimet në tregun e lirë të partamenteve, të cilat merren si referencë për efekt tatimi për çdo shitblerje, apo edhe për vlerësimin nga ana e bankave në momentin e kreditimit.

 


E veçantë për këtë vit është se referencat e reja vijnë në një çast kur Qeveria ka miratuar edhe formulën e re për tatimin e qirave të apartamenteve e bizneseve, të cilat do t’i referohen këtyre çmimeve.  Sipas vendimit, kostoja mesatare e ndërtimit në shkallë republike është Tiranë 39 587 lekë/m2. Sakaq, vetëm në Tiranë, kostoja shkon 32,113 lekë/m2, një kosto e konsideruar e mesme, në mesin e qyteteve si Librazhdi dhe Përrenjasi, që kanë vlerën më të lartë me 32,395 lekë/m2. Sa i përket çmimeve të reja në tregun e banesave në vendin tonë, ata reflektohen në tabelën e bashkangjitur shkrimit. Më shtrenjtë vijon të mbetet zona e ish-Bllokut dhe qendra e Tiranës, e ndjekur nga zonat më periferike.


Bie çmimi në qytetet kryesore  
Nëse flasim për disa nga qytetet e mëdha, vëmë re se çmimi i banesave për metër katrorë ka pësuar rënie. Kështu, në Durrës, çmimi për metër katrorë ishte 70,093 lekë vitin e kaluar, ndërsa qeveria vendosi tashmë ta ulë në 68,540 lekë. Në Vlorë po ashtu, nga 61,655 lekë që ishte vitin e kaluar, tani do të jetë 59,400 lekë. Në Korçë ishte 47,000 lekë për metër katrorë dhe është bërë 45,816 lekë për metër katrorë. Në Pogradec, një metër katrorë për banesë blihej për 50,000 lekë. Sot, çmimi ka shkuar 49,956 lekë. E njëjta linjë është ndjekur dhe për Elbasanin. Çmimi i banesës për metër katrorë në këtë qytet ishte 50,400 lekë. Me vendimin e ri të qeverisë, çmimi është bërë 50,200 lekë. Në Gjirokastër, çmimi i ri për metër katrorë do të jetë 47,860 lekë, ndërkohë që deri më sot ishte 49,580 lekë. Edhe Berati do të ketë çmime më të ulëta të banesave këtë vit. Në këtë qytet, çmimi i një banese për metër katrorë ishte 42,190 lekë. Qeveria ka vendosur ta ulë në 41,000 lekë.


Rritet çmimi në qytetet dytësore
E kundërta ka ndodhur me qytetet dytësorë. Ndërsa për qytezat qeveria ka ndjekur filozofinë e njëjtë me kryeqytetin, pra për mbajtjen e të njëjtave çmime me vitin e kaluar, qytetet dytësorë do të njohin çmime më të larta në tregun e banesave. Nuk kuptohet qartë rritja e vlerës së banesave në zona të tilla thuajse pa perspektivë, me papunësi të lartë dhe zhvillim tejet të ulët, megjithatë, në vendimin e qeverisë parashikohet rritje çmimi për Ersekën, Poliçan, Çorovodë, Memaliaj, Tepelenë, Burrel, Bulqizë, Bajram Curri, Divjakë.

 


Vlerat në rrethe
Tabela e publikuar dje përfshin vlerat mesatare edhe për 70 njësi të tjera administrative. Sipas udhëzimit, shitblerjet në tregun e banesave do të kenë në çdo rast si referencë vlerat mesatare të përcaktuara nga udhëzimi i qeverisë. Vlera shërben për t’i orientuar shitësit apo blerësit e apartamenteve drejt çmimeve reale. Madje, kjo vlerë do të shpërbejë edhe si bazë e tatueshme. Pas çdo shitjeje, në rast se nga kontrata paraardhëse, apartamenti apo pasura e paluajtshme ka ardhur në rritje, është detyrimi i pagimit të fitimit.

 

 

Vendimi/Kostoja
Qeveria ka miratuar edhe koston mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike për vitin 2015, e cila të jetë 39 587 lekë/m2, për sipërfaqe shfrytëzimi. Ndërkohë që për qytetet, për të cilat nuk janë nxjerrë vlerat e kostos mesatare të ndërtimit, të merren vlerat e kostos së ndërtimit të qytetit më të afërt. Vlerat mesatare të banesave në tregun e lirë nuk mund të përdoren për t’iu referuar zonave të afërta. Për llogaritjen e kostos së ndërtimit nuk janë përfshirë vlerat e rrjetit inxhinierik, projektit, studimit gjeologjik dhe sizmik, lejes së ndërtimit, truallit dhe shpenzime operacionale të EKB 4%.


Më të lexuarat