Secondary Adv

OSHEE fal 40 milione dollare per ata qe paguan te gjithe kamatvonesat

Prej muajit dhjetor 2014, e deri në shtator 2015, OSHEE ka lidhur mbi 340 mijë aktmarrëveshje me debitorët, ku mes tyre futen konsumatorët familjarë, ata me ndihmë ekonomike (27 mijë aktmarrëveshje), bizneset etj.


Përveç skemave më këste, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike aplikoi edhe formulën, sipas të cilës, kush paguante të gjithë detyrimin njëherësh, i ulej me 80 për qind kamatëvonesa. Të dhënat tregojnë se përfituesit ishin të shumtë në numër.


Bëhet fjalë për rreth 191 mijë debitorë, të cilët paguan detyrimin me këst të vetëm, pra menjëherë. Shuma e falur në total për këtë kategori arrin në rreth 40 milionë dollarë, një lloj amnistie kjo që ia kalon asaj të tatimeve, ku falën gjobat e vendosura nga qeveria Berisha gjatë periudhës para dhe pas fushatës 2013.
Kompania po ofron të tjera skema të pagesës me këste, si dhe mundësi të shlyerjes së detyrimeve brenda afateve të caktuara, ose më shpejt në kohë. Në total, janë lidhur 340 mijë aktmarrëveshje, përfshi edhe me biznesin, ndërsa OSHEE po shikon lançimin e të tjera skemave lehtësuese në ndihmë të debitorëve.


Në lidhje me arkëtimet, shoqëria po realizon objektivat, natyrshëm, duke pasur parasysh aksionin e gjerë ndaj debitorëve, nga ku llogariten mbi 300 mijë prerje të furnizimit me drita ndaj tyre në 10 muaj aksioneve. Si 9-mujor, arkëtimet arritën në vlerën e mbi 50 miliardë lekë, rekord ky duke pasur parasysh se plani vjetor është rreth 53 miliardë dhe kanë mbetur edhe 3 muaj të tjerë deri në fund të vitit.


Më të lexuarat