Secondary Adv

Zanatet ne liste, licence profesioni per specialistet

Më në fund, edhe Shqipëria, do të ketë një listë kombëtare për zanatet. Kjo, jo sepse deri më tani nuk ka pasur një të tillë, por sepse listës ekzistuese, do t’i shtohen profesione të reja, ndërsa bashkëlidhur do të jetë edhe përshkrimi specifik për secilin profesion.


Kështu, zanatçinjve do t’u duhet të pajisen me licencë për të ushtruar profesionin, dëshmi që i liston ata automatikisht në listën kombëtare të profesioneve. Ashtu si profesionet e rregulluara me ligj, si mësuesi, mjeku, juristi, që e ushtrojnë profesionin vetëm nëse zotërojnë licencë, edhe mjeshtrit do të ndahen në disa kategori.


Zyrtarisht mësohet se kjo lloj ndarje do të shërbejë si një formë seleksionimi, jo vetëm mes cilësorëve dhe jo cilësorëve, por edhe brenda vetë të kualifikuarve, me qëllim që qytetarët të dinë se kujt t’i drejtohen. Ky është qëllimi final, që synon të arrijë Ministria e Mirëqenies Sociale, nëpërmjet reformës së arsimit profesional.


Sipas të dhënave pritet që gjatë 4 muajve të ardhshëm do të detajohen 270 përshkrime profesionale. Burime në Ministrinë e Mirëqenies Sociale bëjnë me dije se në përshkrim përfshihet: Profili i specializimit të zanatçiut dhe paga, dy elemente këto që do të detyrojnë kompanitë apo institucionet ku ata do të punësohen të respektojnë kriterin e rrogës, me të cilën është abuzuar vazhdimisht.


Marrëveshja
Pra, nëpërmjet listimit të profesioneve dhe rrogave të secilit prej tyre si për: Hidraulik, Mekanik, Kuzhinier, Rrobaqepës, Këpucar, nga njëra anë do të jetë i mbrojtur punonjësi dhe nga ana tjetër biznesi do të jetë i orientuar për të zgjedhur profesionistët, por edhe për t’i paguar ata në përputhje me çmimet e tregut.
Risia në marrëveshjen e nënshkruar dje nga përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Mirëqenies sociale, PNUD-it dhe Biznes Albania, synon, ndër të tjera, edhe certifikimin e profesioneve, në mënyrë që edhe qytetarët të dinë cilin elektricist, bojaxhi apo hidraulik të kërkojnë për të përfituar shërbim cilësor në shtëpitë e tyre. I pranishëm në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ishte edhe ministri i MSR-së, Blendi Klosi, i cili, në fjalën e tij, vlerësoi marrëveshjen e arritur si një mundësi e mirë për të bërë rishikimin, përditësimin dhe plotësimin e listës së profesioneve në Shqipëri nëpërmjet një procesi të gjerë konsultativ me sektorin privat.


“Lista e profesioneve ka një rëndësi të veçantë, si për ata që janë të punësuar, studentët, ashtu dhe për ata që kërkojnë një ndryshim karriere. Është po aq e rëndësishme edhe për institucionet e arsimit profesional, në mënyrë që kualifikimet të jenë transparente dhe të përshtaten me kërkesat e tregut të punës”, sqaroi Klosi.


Sipas tij, falë listës që do të hartohet, do të bëhet e mundur jo vetëm identifikimi i profesioneve, por edhe certifikimi i tyre, duke i afruar me standardet europiane të punës. “Duhet që koncepti që ‘di t’i bëj të gjitha’ të marrë fund dhe gjithsecili të ketë profesionin e tij të standardizuar me karakteristikat specifike dhe të përcaktuara nga tregu i punës. Që sot do të fillojë një punë e detajuar për të pasur profesione specifike në Shqipëri. Ne, edhe në kuadër të arsimit profesional dhe të zhvillimeve në Shqipëri, po përpiqemi të kemi një hartë të plotë të interesave të biznesit”, shpjegoi Klosi.


Më të lexuarat