Secondary Adv

INSTAT: Bie paga reale dhe produktiviteti ekonomik

Produktiviteti i punës është një element shumë i rëndësishëm që një biznes të jetë konkurrues. Ky tregues ndërtohet si raport i xhiros së biznesit me numrin e të punësuarve dhe tregon sesa prodhon mesatarisht çdo punonjës i kompanisë.


Produktiviteti i ulët e bën një biznes më pak kompetitiv dhe ky element është një nga dobësitë kryesore të biznesit shqiptar. Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave dëshmojnë se produktiviteti është përkeqësuar më tej gjatë vitit 2014. Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve tregoi se shitjet neto për të punësuar pësuan rënie me 1.4%.


Sipas Instat, kjo erdhi sepse punësimi u rrit me ritme më të larta se shitjet. Mbështetur në të dhënat e anketës, shoqëritë tregtare në Shqipëri raportuan rritje të punësimit me 7.7%, ndërsa shitjet neto vitin e kaluar u rritën me 6.2%. Për vitin e kaluar, dominimi i shërbimeve në ekonominë shqiptare u zgjerua më tej, me 67% të shitjeve, nga 65% që regjistronin në 2013. Edhe pesha e shërbimeve në punësim u rrit në 63%, nga 62% që ishte në vitin paraardhës.


Investimet e deklaruara nga ndërmarrjet vitin e kaluar regjistruan një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2013. Por, këto investime janë mjaft të përqendruara në pak sektorë. 29% e investimeve kryhen në sektorin e energjisë elektrike dhe ujit, kryesisht në ndërmarrjet publike, ndërsa 21% e investimeve i takojnë sektorit të industrisë nxjerrëse, sidomos në nxjerrjen e naftës bruto. Ndërkohë, sektori i shërbimeve që dominon prodhimin dhe punësimin në ekonomi, vitin e kaluar regjistroi një ulje të investimeve me 24% krahasuar me vitin 2013.


Më të lexuarat