Secondary Adv

Thellohet gropa ne buxhet: 10.9 miliard leke me pak se plani per 10 mujorin janar-tetor

Kur të gjithë prisnin që aksioni ndaj infomalitetit, në mos të rriste të ardhurat në buxhet të paktën të frenonte thellimin e gropës në raport me planin, ka ndodhur krejt e kundërta.


Tre muaj pas rishikimit më shkurtim të buxhetit të janarit 2015, deficiti në të ardhura në raport me planin shënoi për 10 mujorin gati 11 miliardë lekë, duke u thelluar nga 7 miliardë lekë, që ishte gropa për 9 mujorin.


Në raport me 10 mujorin 2014, të ardhurat totale në buxhet janë rritur me 4%. Sipas treguesve fiskalë të konsoliduar të publikuar sot nga Ministria e Financave të ardhurat totale në fund të 10 mujorit janë realizuar në masën 311 miliardë lekë, ose afërsisht 10.9 miliardë lekë më pak se plani i periudhës 10-mujore.
Ndërkohë, realizimi i shpenzimeve të përgjithshme në masën 330 miliardë lekë, pra rreth 6 për qind më pak se, plani i periudhës, është shoqëruar me një deficit buxhetor prej rreth 18 miliardë lekë, i cili është më i ulët se plani për afërisht 11 miliardë lekë.


“Krahasuar me planin e parashikuar, kemi një diferencë më të ulët ndërmjet të ardhurave të grumbulluara në buxhetin e shtetit dhe shpenzimeve të realizuara në raport me planin, duke rezultuar në një deficit buxhetor konsiderueshëm më të ulët. Kjo përkthehet shumë mirë në politika të frytshme dhe të kujdesshme buxhetore nga ana e qeverisë duke rritur qëndrueshmërinë dhe ndikuar në premisat e një buxheti të konsoliduar” pohoi Ministria e Financave në njoftimin zyrtar që shoqëroi statistikat.


Duket se para mbylljes së vitit qeveria do ta ketë të pashmangshme rishikimin me ulje të buxhetit të rishikuar. Në një material informues për Kuvendin, Ministria e Financave ka njoftuar se buxheti i rishikuar do të përmbyllet me një deficit në të ardhura me 8.7 miliardë lekë, por siç shihet nga treguesit e dhjetëmujorit deficiti pritet të jetë më i lartë.


Më të lexuarat