Secondary Adv

Legalizimi i shtesave per 30 dite, miratohen procedurat

Miratohen procedurat për legalizimin e shtesave anësore dhe në lartësi, të ndërtuara pa leje. Kriteret dhe procedurat për pajisjen me leje edhe të shtesave anësore apo në lartësi, kur ndërtimi kryesor është tjetërsuar (është transferuar e drejta e pronësisë) apo nuk rezulton të jetë në pronësi të aplikuesit për legalizim, kryhen në emër të pronarit të ndërtimit kryesor.


Për të marrë lejen e legalizimit, personi ose subjekti që ka ndërtuar pa leje dorëzon pranë drejtorisë përkatëse të ALUIZNI-t dokumentacionin që provon veprimin juridik të fitimit të pronësisë mbi të ose të kalimit të të drejtave mbi shtesën. Nga evidentimi i gjendjes faktike të shtesës pa leje rezulton se ajo është e lidhur, në mënyrë të pandarë, me ndërtimin kryesor dhe posedohet prej pronarit të këtij të fundit. Në të kundërt, kualifikimi vijon në emër të poseduesit të shtesës, aplikues për legalizim.


Afatet
Në vendimin e Këshillit të Ministrave të miratuar dje, përcaktohet se drejtoria e varësisë së ALUIZNI-t miraton lejen e legalizimit brenda 30 ditëve nga momenti i kualifikimit të ndërtimit informal.


Përfituesit
Leja e legalizimit miratohet për subjektin përfitues, që është sipas rastit aplikuesi për legalizim ose personi të cilit i janë njohur të drejta mbi ndërtimin pa leje pas veprimeve juridiko-civile, që janë paraqitja e kontratës për kalimin e së drejtës për të legalizuar ndërtimin, dokumenti i trashëgimisë ose deklarata e aplikuesit për njohjen e të drejtave mbi ndërtimin, ose vendimit gjyqësor të formës së prerë për të drejtën mbi pronësinë. Dokumentacioni dorëzohet nga subjektet përpara përfundimit të procedurave administrative të miratimit të lejes së legalizimit.


Për shtesat informale, kur ndërtimi kryesor (ndërtimi me leje të cilit i është bashkëngjitur shtesa në lartësi ose anësore) është tjetërsuar apo nuk është në pronësi të aplikuesit për legalizim, për miratimin e lejes së legalizimit zbatohen përcaktimet e pikës 11, të vendimit nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”. Në këtë pikë të VKM-së përcaktohet se “kur ndërtimi kryesor është tjetërsuar, është transferuar e drejta e pronësisë, apo nuk rezulton të jetë në pronësi të aplikuesit për legalizim, procedurat e kualifikimit kryhen në emër të pronarit të ndërtimit kryesor”. Sipas VKM-së, brenda 10 ditëve nga data e miratimit, leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik, i dorëzohet ose i dërgohet në rrugë postare subjektit përfitues.


Kalimi i pronësisë
Për ndërtimet informale që i nënshtrohen procedurës së kalimit të së drejtës së pronësisë, leja e legalizimit miratohet përpara kryerjes së këtyre procedurave dhe i dorëzohet subjektit përfitues, së bashku me dokumentacionin shoqërues.


Rastet që përjashtohen
Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe rastet kur një ndërtimi pa leje i pezullohet leja e legalizimit. “Pezullimi i procedurave administrative dhe i miratimit të lejes së legalizimit bëhet vetëm në rastet kur: për ndërtimet informale dhe shtesat anësore/në lartësi plotësohen kushtet e nenit 26, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, për ato shqyrtime gjyqësore që kanë si objekt mosmarrëveshjet për të drejtën e pronësisë mbi vetë ndërtimin/shtesën apo mbi parcelën ndërtimore”, thuhet në VKM.


“Nëse gjatë legalizimit ka mosmarrëveshje për raportet e pronësisë në objekt ose/dhe rreth përfshirjes së personave të tjerë, të cilët pretendojnë të drejta mbi parcelën ndërtimore, që legalizohet sipas këtij ligji, kjo mosmarrëveshje zgjidhet nga gjykata. Gjatë shqyrtimit të konfliktit gjyqësor procedurat për legalizim të objektit pezullohen dhe rifillojnë sipas kushteve të këtij ligji, pasi vendimi gjyqësor të jetë i formës së prerë, me kushtin që ndërtimi pa leje të jetë vetëdeklaruar”, thuhet në nenin 26 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Përjashtim bëhet për shtesat anësore/në lartësi; plotësohen kushtet e nenit 40, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, kur nga gjykata është vendosur masë sigurimi padie, në kuadër të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve midis subjekteve aplikuese dhe pronarit të truallit privat dhe/ose kufitar.


“Në rastet kur, si pasojë e shqyrtimit të një mosmarrëveshjeje në gjykim ndërmjet subjektit dhe pronarit të truallit privat/kufitar, gjykata ka vendosur masë sigurimi, procedurat për legalizimin e shtesës së objektit pezullohen dhe rifillojnë sipas këtij ligji, kur masa e sigurimit humb fuqinë e saj, me kusht që shtesa pa leje të jetë vetëdeklaruar. Të gjitha subjektet që disponojnë ndërtime pa leje janë të detyruara që, duke filluar nga 60 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, t’i vetëdeklarojnë ato (objektin pa leje dhe parcelën ndërtimore) pranë zyrës së Urbanistikës të njësisë përkatëse. Zyra e Urbanistikës pranë njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me detyrat e ngarkuara nga ky ligj, është e detyruar të pranojë vetëdeklarimet për një periudhë 4 mujore nga data e fillimit të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni. Për organet e qeverisjes vendore, të organizuara në njësi administrative ose rajone, vetëdeklarimi kryhet pranë këtyre njësive ose zyrave të rajonit”, përcaktohet në nenin 40 të ligjit për legalizimet.


Më të lexuarat