Secondary Adv

Raporti i INSTAT: Ja mosperputhja e kualifikimeve ne Shqiperi

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave konfirmojnë deformimet e dukshme nga të cilat vuan tregu shqiptar i punës: Vetëm 6.8% e totalit të të punësuarve në Shqipëri janë punëtorë, ndërkohë që Kategoria e menaxherëve, profesionistëve dhe teknikëve janë thuajse sa dyfishi i tyre, ose 12.9% e totalit.

 


Pjesa dërrmuese e të punësuarve i takon sektorit bujqësor, ku punojnë rreth 55% e totalit të të punësuarve, ndërkohë që 17% janë nëpunës, punonjës të shitjeve dhe shërbimeve, ndërsa 7% bëjnë pjesë në kategorinë punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve. Të dhënat vijnë përmes raportit “Të Rinjtë në Shqipëri, sfidat në kohët që ndryshojnë”, të publikuar dje nga INSTAT.


Mospërputhja e kualifikimeve
Nga ana tjetër, raporti thekson edhe mospërputhjen e lartë të kualifikimeve, si një prej shkaqeve të problemeve në tregun tonë të punës. Mospërputhje ndodh kur një person ka kualifikim më të lartë ose më të ulët sesa niveli që kërkohet në punën e personit. Disa janë të mbi-kualifikuar për punën që bëjnë - ata janë në gjendje të kryejnë detyra më komplekse dhe kualifikimet e tyre nuk përdoren mjaftueshëmndërsa të tjerët janë jo mjaft të kualifikuar për punën e tyre aktuale- atyre u mungon kualifikimi që normalisht nevojitet. Sipas INSTAT, norma e mospërputhjes për punëtorët e rinj në arsim e lartë ka qenë shumë e lartë - 33.5 përqind në vitin 2011. Meqë ky është grupi me arsimin më të lartë, mospërputhja nënkupton që personat janë të mbi-kualifikuar për punën e tyre.


“Këto norma të larta mospërputhjeje janë tregues ose i tregjeve të punës me papunësi të lartë ose përputhje e keqe ndërmjet atyre që dalin nga sistemi arsimor dhe kërkesës së tregut të punës ose kombinim i të dyjave. Kërkime të mëtejshme duhet të bëhen për të parë mundësitë që sistemi arsimor të përshtatet më mirë me kërkesat e tregut të punës. Të dhënat AFP 2014 tregojnë rritje në nivelin e mospërputhjes së kualifikimeve, e cila është tendencë në përputhje me vende të tjera në Europë gjatë krizës ekonomike”, thekson raporti.


Më të lexuarat