Secondary Adv

Paketa fiskale 2016, rritet taksa e pasurise, do paguajne edhe qiramarresit

Jo vetëm ata që kanë në pronësi troje do të paguajnë për të, por edhe ata që e përdorin, ose sic njihen në jetën e përditshme, qiramarrës. Kjo është parashikuar në draftin e paketës së re fiskale që pritet të shoqërojë buxhetin e shtetit të vitit të ardhshëm.


Sipas këtij drafti, subjekt i pagesës së taksës së pasurisë nuk duhet të jetë vetëm pronari ligjor, por edhe përdoruesi i pasurisë së paluajtshme. Por, në këtë draft të paketës fiskale është parashikuar edhe vendosja e taksës së pasurisë mbi truallin në  masën 5600 lekë/ha, 4200 lekë/ha dhe 1400 lekë/ha, kjo sipas kategorizimeve të  rretheve.


Arsyeja  sipas ekspertëve të financave për vendosjen e kësaj takse është se trualli konsiderohet pasuri e paluajshme njësoj si ndërtesa dhe toka bujqësore. Ndërsa të ardhurat për pushtetin vendor, po sipas këtij drafti, do të jenë  rreth 180 milionë lekë, kjo bazuar në 50 mijë hektar truall.Por a është mbledhur deri tani taksa e pasurisë nga pushteti vendor, dhe a ka kapacitete për ta mbledhur atë? Referuar  viteve të mëparshme konstatojmë se taksa e ndërtesës, akoma nuk është përvetësuar  nga “kultura fiskale” e pjesës më të madhe të  qytetarëve shqiptarë.


Referuar të dhënave zyrtare  të publikuara nga Ministria e Financave, treguesit e të ardhurave të taksës  mbi pasurinë, për vitin 10 muajt e këtij viti  rezultojnë  të jenë në vlerën e 3.4 miliardë lekëve, një shumë modeste kjo  duke patur parasysh numrin e ndërtesave në vendin tonë, ndërsa për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 3.1 miliardë lekë. Edhe pse ndërtimi mori një hov të madh zhvillimi pas viteve ’90, shumica e tyre janë ndërtuar pa leje, çka do të thotë se nuk janë të regjistruara dhe si pasojë nuk mund të paguajnë një taksë të tillë. 


Janë ndërmarrë një sërë politikash dhe ngritur institucione, që nuk kanë dhënë efektin e pritshëm në gjithë këto vite, duke sjellë dhe “mungesën” e fondeve nga taksa të tilla në buxhetin e shtetit. Ndërkohë, për të rritur nivelin e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga taksa e ndërtesës është hedhur ideja që në faturën e energjisë apo ujit të konsumatorëve, mund t’u bashkangjiten si detyrim për t’u paguar edhe taksa për banesat.Pavarësisht debateve dhe qendrimeve të ndryshme, në këtë pikë kampet politike janë bashkuar, rreth nevojës së mbledhjes së kësaj takse, si një burim i pashfrytëzuar në 23 vitet e fundit.


Më të lexuarat