Secondary Adv

Koncesionet e hidrocentraleve, anullohen 30 kontrata

 

Ndërtimini i centaleve të shumta në vend, që bazohen në prodhimin e energjisë hidrike po rezulton si një politikë e dështuar në vendin tonë. Qeveria e mëparshme ka lëshuar 370 leje koncesionare për ndërtimin e 440 hidrocentraleve në të gjithë vendin, por deri më tani as gjysma e këtyre veprave nuk ka arritur që të nisë punimet.

 

Cilësia e ulët e investitorëve për ndërtimin e HEC-eve, mangësi në zbatimin e ligjit për shoqëritë tregtare, ndryshime të shpeshta të kontratave dhe në shumë raste transferim kuotash me apo pa miratimin e Autoritetit Kontraktor. Kështu njoftoi dje Ministria e Energjisë dhe Industrisë lidhur me problemet e konstatuara në koncesionet e hidrocentraleve. Mbështetur në këto konkluzione, ministri Damian Gjiknuri ka firmosur fillimin e procedurave për prishjen e 14 kontratave koncesionare për ndërtimin e 30 hidrocentraleve.

 

Gjatë viteve të fundit, qeveria “Berisha” dha me koncesion të drejtën e ndërtimit të 363 HEC-eve në mbarë vendin. Në vijim të procesit të verifikimit të përmbushjes së detyrimeve të koncesionarëve sipas kontratave të lidhura midis Autoritetit Kontraktues/OSHA dhe koncesionarëve, janë konstatuar probleme në raport me zbatimin e detyrimeve ligjore. Grupi i punës, ngritur nga ministri Gjiknuri, sipas njoftimit, po vazhdon kontrollin dhe verifikimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe nënligjor sipas fazave: të shqyrtimit të projektpropozimeve për objektin e koncesionit; të procedurave përzgjedhëse të investitorit dhe shoqërisë koncesionare dhe të fazës negociuese të kontratave.

 

 

Ministria e Energjisë, sipas njoftimit, ka konstatuar në këtë grup HEC-esh: vonesa në zbatimin e kushtit të krijimit dhe regjistrimit të shoqërisë koncesionare pranë QKR-së; vonesa në paraqitjen e projekteve të zbatimit dhe të miratimit të tyre; vonesa të theksuara dhe të pajustifikueshme nga shoqëritë koncesionare në zbatimin e kontratës koncesionare, ndikuar edhe nga probleme me “ambientin rrethues vendor”; mospërfshirje të vërejtjeve apo propozimeve për përmirësimin e kushteve dhe klauzolave të kontratave të paraqitura nga organet e oponencës teknike apo institucionet e tjera, gjatë fazës së miratimit të projektvendimeve në Këshillin e Ministrave.

 Ndërkaq, kontrolli ka vërejtur praktika procedurale të zbatuara dhe monitoruara nga “Grupe Pune” dhe jo struktura të konsoliduara shtetërore, ekspertizë dhe oponencë tekniko-ekonomike të kryer nga struktura pa përgatitjen e duhur dhe pa konsulencë ndërkombëtare, pjesërisht nga AKBN dhe Instituti i Ndërtimit etj. Sipas njoftimit, kjo është faza e parë e kontrollit, ndërsa po vazhdohet me auditimin e të gjitha kontratave koncesionare për të parë përputhshmërinë e tyre me detyrimet ligjore.

 

Heqja e koncesioneve per 30 HEC-e

Objektet e kontratave që do të anulohen janë: H/C Egnatia, H/C Qytezë, H/C Domaj, H/C Steblevë, H/C Tuçep 2, H/C Labinot Mal, H/C Gomsiqe 1,2, H/C Sheba 1,2,3,4, H/C Bënçë dhe Tepelenë, H/C Qafeshuli 1,2,3,4, Sheja e Librazhdit, H/C Nishova 1,2, H/C Shkalla, Cërujë, Plesha, Benji 1,2 dhe Klos, HEC Stojan, H/C Dobjat, Menkulas.

 

Procedura

Zgjidhja e kontratës së koncesionit, sipas ligjit në fuqi, bëhet kur autoriteti kontraktues:

 a) mund të provojë se koncesionari nuk mund të kryejë detyrimet e veta, për shkak të paaftësisë paguese, shkeljeve serioze apo çështjeve të tjera që pengojnë apo nuk lejojnë vazhdimin e kontratës në përputhje me standardet;

b) koncesionari dështon në sigurimin e financimit të projektit brenda 12 muajve nga nënshkrimi ose hyrja në fuqi e kontratës.

Para zgjidhjes së kontratës, autoriteti kontraktues informon Ministrinë e Financave dhe kërkon mendimin e saj. Çdo mosmarrëveshje, ndërmjet autoritetit kontraktues dhe koncesionarit zgjidhet përmes mekanizmave të pranuara nga palët, duke përfshirë edhe procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar.


Më të lexuarat