Secondary Adv

Falimentojne 100 biznese per 40 dite

 

Kriza ekonomike ka prekur ndjeshëm shoqërinë shqiptare, duke krijuar kështu probleme përsa i përket vijueshmërisë së bizneseve. Qendra Kombëtare e Regjistrimit, ka bërë të ditur në një nga njoftimet e saj se, rreth 100 shoqëri kanë nisur procedurat e falimentimit të tyre, duke njoftuar kreditorët të marrin pjesë në procedurat e likuidimit.

 

Shkaqet e falimentimit të shoqërive apo bizneseve mund të jenë nga më të ndryshmet si, pamundësia e shlyerjes së pagesave apo mbingarkesa me borxhe e shoqërisë kur vërtetohet se pasuritë e saj nuk mbulojnë nevojat dhe pas vlerësimit të tyre konstatohet pamundësia e vazhdimësisë së veprimtarisë; përfundimi i afatit të funksionimit të parashikuar në statut dhe kontrata themelimit, etj.

Sipas QKR-së ky numër shoqërish kanë paraqitur pranë zyrave të saj dhe kanë përfunduar të gjitha procedurat përkatëse, duke filluar nga 10 qershori deri më 23 korrik të 2014-ës. Procedurat në fjalë kryhen në bazë të nenin 195 të ligjit nr. 9901, datë 14.04.2003,  “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Kështu, likuidatori i shoqërisë fton kreditorët e saj për të depozituar pretendimet e tyre për prishjen e saj, të cilat duhet të depozitohen brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të publikuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në zyrën e likuidatores.

 

 

Likuidimi

 

Likuidimi është tërësia e operacioneve, të cilat, pas shpalljes së prishjes ose falimentimit të një shoqërie, kanë për objekt realizimin e elementeve të aktiveve dhe pagimin e kreditorëve. Kjo i hap udhë ndarjes midis ortakëve të aktivit neto të mbetur të shoqërisë tregtare dhe derdhjes në buxhet të aktiveve të mbetura të ndërmarrjes shtetërore. Shkaqet e prishjes apo falimentimit të shoqërisë janë nga më të ndryshmet, ndërkohë që disa janë të përbashkëta për të gjitha shoqëritë: Gjendja e paaftësisë paguese të shoqërisë, kur ajo nuk paguan dot detyrimet në datën e maturimit; mbingarkesa me borxhe e shoqërisë kur vërtetohet se pasuritë e saj nuk mbulojnë nevojat dhe pas vlerësimit të tyre konstatohet pamundësia e vazhdimësisë së veprimtarisë. Një shkak tjetër mund të jetë arritja e përfundimit të afatit të funksionimit të parashikuar në statut dhe kontratën e themelimit. Një tjetër është realizimi i qëllimit ose shuarja e objektit të shoqërisë.

Po ashtu mund të vijë në formën e vendimit juridik mes ortakëve. Likuidatori emërohet nga ortakët, në konditat që varen nga tipi i shoqërisë: sh.a, sh.p.k, komandite, kolektive etj. Pra vënia në likuidim e shoqërisë rezulton nga një vendim i asamblesë së përgjithshme për prishje të shoqërisë. Shoqëria vazhdon të ekzistojë, veprimtaria e saj është e kufizuar në masën që lidhet me likuidimin, por nuk mund të rinisë veprimtari të reja. Emërohet gjithashtu nga gjykata, në rastin e një procedure falimentimi, sipas nenit 43 të ligjit, qoftë i emëruar nga kreditorët dhe i pranuar nga gjykata.


Më të lexuarat