Secondary Adv

Hipotekat, vendosen rregulla te reja per shitjen e pallateve te reja

Parlamenti do të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin e qeverisë mbi ndryshimin në ligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.Në këtë draft janë parashikuar rregullat e reja mbi marrjen e lejes për ndërtim dhe detyrimin për hipotekimin paraprak në hipotekë.


Me këtë vendim bankave do t’u jepet e drejta që të sekuestrojnë karabinatë e vendosura si garanci për të marrë kredi, por dhe t’i nxjerrin ato më pas në ankande.Sipas vendimit të Kuvendit, drafti do të miratohet me procedurë të përshpejtuar ndërsa komisionet parlamentare do të duhet të shprehen në datat 8 dhe 9 shkurt.Komisioni parlamentar i çështjeve ligjore do të marrë në shqyrtim draftin në datën 8 dhe 9 shkurt ndërsa komisioni i ekonomisë do të vendosë në datën 9 shkurt. Më pas do të jetë seanca parlamentare e datës 11 shkurt që do të kalojë në proces votimi draftin e propozuar prej qeverisë.


Hipotekimi
Për të eliminuar kreditë e këqia, është vendosur që lejet e banimit të regjistrohen fillimisht në hipotekë. Më pas çdo akt shitblerje do të regjistrohet në kartelën përkatëse. Në këtë mënyrë çdo kush që do të marrë kredi do të ketë të drejtën të aplikojë nëpërmjet kësaj hipoteke. Dhe në rast se nuk do të mundet te shlyejë borxhin e marrë atëherë banka do të ketë të drejtën të sekuestrojë pronën dhe më pas ta nxjerrë në ankand, duke marrë garanci dhe për kredinë e dhëna. Një fenomen që tashmë është konsideruar problematik, pasi pronarët e mjaft banesave të pahipotekuara nuk shlyejnë kreditë ndërsa banka nuk u merr dot kolateralin e vendosur.


“Pas regjistrimit të lejes së ndërtimit, regjistruesi, sipas kërkesave të paraqitura nga personat e interesuar, regjistron në regjistrin e veçantë, në të cilin është regjistruar leja e ndërtimit, aktet noteriale si dhe kontratat e sipërmarrjes/porosisë të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit dhe pronarëve të truallit apo blerësve/porositësve të njësive individuale, që përbëjnë strukturën që do të ndërtohet, bazuar në lejen e ndërtimit”, thuhet në propozimin e qeverisë. Por në rast se një individ nuk shlyen kredinë, atëherë karabinaja do ti kalojë në pronësi bankës. “Kur në përfundim të procedurave përmbarimore, karabinaja kalon në pronësi të një banke kreditore, regjistruesi lëshon dokumente të përkohshme në favor të kryerjes së transaksioneve nga ana e bankës, e cila ka të drejtë të disponojë dhe të tjetërsojë me të tretët këtë pasuri. Regjistrimi i karabinasë dhe certifikatat/vërtetimet e përkohshme janë të vlefshme deri në regjistrimin përfundimtar të ndërtimit të ri, sipas nenit 48, të këtij ligj”, saktësohet në draft.


Shitblerjet
Në projektligjin e qeverisë janë parashikuar ndryshime dhe përsa i përket shitblerjes së dnërtimeve të reja. Sipas procedurave të reja, pa u bërë regjistrimi i lejes në hipotekë askush nuk do të ketë të drejtën të nënshkruajë kontratë për të blerë apo shitur në apartament. “Zhvilluesit e pronës apo pronarët e truallit nuk mund të lidhin kontrata sipërmarrjeje apo porosie pa regjistruar lejen e ndërtimit”, thuhet në propozimin i cili tashmë do të votohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvend.


Banka
Kur në përfundim të procedurave përmbarimore, karabinaja kalon në pronësi të një banke kreditore, regjistruesi lëshon dokumente të përkohshme në favor të kryerjes së transaksioneve nga ana e bankës


Lejet
Zhvilluesit e pronës apo pronarët e truallit nuk mund të lidhin kontrata sipërmarrjeje apo porosie pa regjistruar lejen e ndërtimit”, thuhet në propozimin i cili tashmë do të votohet me procedurë të përshpejtuar


Rishikimi
Ndryshimet do të jenë vetëm për objektet që do të ndërtohet Projekligji i paraqitur në Kuvend duket se nuk do ti japë zgjidhje pallateve që kanë përfunduar por që nuk janë regjistruar ende në hipotekë. Në relacionin e paraqitur prej qeverisë nënvizohet se kjo do ti japë zgjidhje bankave përsa i përket kredive të këqia. Deri më tani, sipas shpjegimeve të qeverisë, kreditë e këqia zënë rreth 20 për qind tëtë gjtihë kredive të dhëna. Por në rast se bankave do tu jepet e drejta që të sekuestrojnë banesat në karabina, atëherë dhe numri i kredive të këqia do të bjerë. Megjithatë kjo duket se do të shërbejë vetëm për të ardhmen. Pasi ende dhe sot janë rreth 900 pallate të reja që ende nuk kanë marrë të drejtën e regjistrimit në ZRPP. Kjo për shkak të braktisjes nga ndërtuesit apo dhe për shkak të falimentimit të kompanive të ndërtimit. Megjithatë do të jenë komisionet parlamentare që do të vendosin nëse do të rishikojnë draftin dhe përsa i përket pallateve që tashmë kanë përfunduar, apo ligji do të veprojë vetëm për të ardhmen.


Më të lexuarat