Secondary Adv

Skanimi i Rapiscan, bizneset kosto indirekte pervec tarifes 22 euro

Letra për Drejtoreshën e Doganës: Është rritur presioni korruptiv. Në disa degë doganore shërbimi ndaj eksportuesve reduktohet deri në vetëm 3 orë në ditë. Kostot e kësaj situate janë shumë serioze.


Krahas pagesës së tarifës prej 22 euro për deklaratë doganore, si rrjedhojë e kontratës së skanimit mes qeverisë shqiptare dhe Rapiscan, bizneset po përballen dhe me kosto të tjera indirekte si rrjedhojë e kufizimit të orareve të punës në dogane, me qëllim që t’i krijohen kushte koncesionarit për skanim.
Bizneset pohojnë se nga data 16 dhjetor 2015, me një urdhër, që ata e konsiderojnë absurd, të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (vendimi nr. 31359 prot. datë 16.12.2015 për kufizimin e orarit të kryerjes së procedurave të eksportit në degët doganore), të gjitha degët doganore të rretheve duhet të mbyllin veprimet për eksporte para orës 10-11 (në varësi të qyteteve), sepse duhet që kamionët të futen për skanim në Durrës para orës 1:00.


Kjo procedurë, pohon Alban Zusi, eksportues, ka rritur kostot indirekte, pasi nëse nuk arrihen këto afate, kamioni detyrohet të qëndrojë në port, çka rrit pagesat portuale dhe për transportuesin. “Kontejnerët duhet të presin që të futen të gjithë në skanim dhe për çdo ditë vonesë ka taksë portuale dhe shpenzime të tjera”, pohon ai.


Kjo procedurë ka çuar në qiell dhe koston e korrupsionit, teksa bizneset përpiqen me çdo kusht që të mbarojnë procedurat brenda kësaj kohe, apo dhe të fillojnë procedurat pak pasi ka kaluar ora 11:00, në mënyrë që të mos humbasin edhe 24 orë të tjera.Në një ankesë që Shoqatat e Biznesit i kanë dërguar drejtoreshës së doganave theksohet se kufizimi në kohë i kryerjes së procedurave të eksportit, sipas këtij urdhri, është në ekstrem: p.sh. në disa degë doganore shërbimi ndaj eksportuesve reduktohet deri në vetëm 3 orë në ditë!


Biznesi ka ilustruar një aspekt sesi krijohen kostot: Me këtë orar të reduktuar, cikli i plotë i ngarkimit të mallit dhe zhdoganimit, është e pamundur të përmbushet brenda një dite, për rrjedhojë:

– Rriten kostot për parkim doganor
– Rriten kostot e transportit, pasi Transportuesi e vë mjetin në dispozicion të eksportuesit për një numër të caktuar orësh. Pamundësia për të përfunduar brenda ditës procedurat e eksportit bën që mjeti i transportit të jetë në dispozicion të eksportuesit një ditë më shumë, kohë për të cilën natyrshëm që transportuesi do të paguhet
– Orari shumë i reduktuar i përfundimit të zhdoganimit, sjell rritjen e presionit për të përfunduar sa më shpejt. Për rrjedhojë shtohen shanset dhe rastet e gabimeve njerëzore nga punonjësit që përgatitin dokumentacionin, agjentëve doganorë dhe punonjësve të doganës. Dihet që gabimi në dokumentacion ka pasojat e veta, më i vogli i të cilave është zgjatja e përfundimit të procesit të zhdoganimit edhe një ditë më shumë.
– Në rastin e anijeve kontejnerike, pamundësia për të përfunduar procedurën doganore brenda ditës, sjell mosngarkimin e kontejnerit në mjetin lundrues që niset të nesërmen në mëngjes. Për rrjedhojë, kontejneri i eksportit duhet të presë në Durrës përafërsisht edhe 7 ditë të tjera. Kjo sjell në kosto magazinim, mosrespektim kontratash në lidhje me pritësin e mallit, probleme me letër kreditet, probleme në marrjen e pagesave nga blerësi, etj. Gjithashtu mosnisja në kohën e parashikuar, mund të sjellë në probleme jashtëzakonisht të mëdha në lidhje me partnerët në biznes (blerësin e mallit, bankat për letër kreditet, etj.).
Përveç kostove të sipërpërmendura, me këtë orar të reduktuar, shtohet edhe presioni korruptiv për të paguar shërbimin në rastet e paraqitjes në disa minuta vonesë nga orari i rreptë kufizues për të shmangur pasojat (kostot shumë serioze edhe financiare).


Doganat: Urdhri për oraret, për të koordinuar eksportin me skanimin
Lidhur me Urdhrin e datës 16 dhjetor 2015, për përcaktimin e orareve në kryerjen e procedurave për eksport dhe rieksport, me zyrë doganore dalëse Durrësin, Drejtoria e Përgjithshme e Doganës sqaron se ai ka qëllim orientues dhe jo kufizues për operatorët ekonomikë.


Me anë të tij, synohet disiplinimi i lëvizjes së mjeteve me mallra për eksport apo rieksport me zyrë doganore dalëse Durrësin, si dhe i ndihmon operatorët ekonomikë që të planifikojnë në kohë përshtatjen me oraret e nisjes së trageteve. Kjo për shkak se, aktualisht, procedurat e skanimit në Portin Detar të Durrësit nuk mund të realizohen në kohën e pikut të lëvizjes për eksport (dalje nga territori doganor).


Në kushtet kur në kuadër të forcimit të masave për rritjen e shkallës dhe efikasitetit të kontrolleve kundër terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme do të skanohet një numër më i lartë mjetesh me mallra që kryejnë procedurat për eksport dhe rieksport në Degën Doganore Durrës, fluksi i lartë i këtyre mjeteve bëhet shkak që subjektet të humbasin tragetin, sqarojnë me tej burimet zyrtare në dogana.


Referuar këtij Urdhri, Drejtoria e Përgjithshme ka udhëzuar Degët Doganore të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të njoftojnë paraprakisht operatorët ekonomikë dhe agjencitë doganore, në mënyrë që atyre t’u jepet mundësia për të përshtatur aktivitetin e eksportit me oraret e përcaktuara, në rastet kur subjekti kërkon të nisë mallin për eksport brenda ditës. Në të kundërt, ata mund të kryejnë procedurat edhe pas orarit të përcaktuar në urdhër, por duhet të llogarisin që nisjen për eksport ta bëjnë ditën e nesërme.Drejtoria e Përgjithshme e Doganës siguroi se urdhri në fjalë ka për qëllim t’u japë përparësi kryerjes së procedurave për subjektet që kryejnë eksport apo rieksport dhe ka angazhimin maksimal për të qenë në ndihmë të biznesit.


Oraret për procedurat e eksportit dhe rieksportit sipas zyrave doganore
Dogana orari
Durrësi deri më 17:00
Tirana deri më 12:00
Lezha deri më 11:00
Shkodra deri më 10:00
Elbasani deri më 11:00
Berati deri më 10:00
Korça deri më 10:00
Vlora deri më 11:00
Fieri deri më 11:00


Më të lexuarat