Secondary Adv

Plani ambicioz i qeverise, 12800 biznese te reja, 3500 licenca per 2014

Do të hapen 12 800 biznese të reja dhe do të jepen 3500 licenca, do të vijnë 8 investitorë të huaj dhe do të jepen 5 koncesione të mëdha. Kjo është perspektiva e biznesit deri në fund të vitit 2014. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e ka një përgjigje edhe për tre vitet e ardhshme.

 

Fonde për biznesin

Objektivi i shpjeguar në shifra mbetet konstant deri në vitin 2017: do të krijohen çdo vit mbi 12 800 biznese të reja dhe do të jepen mbi 3500 licenca. Siç do ta shohim më poshtë, qeveria do të investojë vetëm në krijimin e kushteve lehtësuese, duke parashikuar të rriten sipërmarrjet vendase dhe të huaja. Ndërkaq, qeveria do të mbështesë deri në fund të vitit në vijim rritjen e performancës së bizneseve nëpërmjet kreditimit me kushte lehtësuese. Janë planifikuar që kredi të tilla të marrin 20 biznese, të cilave do t’u sigurohet edhe trainimi i stafit.

Deri në fund të vitit 2014, 20 kompani të tjera do të ndihmohen në rritjen e konkurrueshmërisë në tregun rajonal nëpërmjet disbursimit të fondit për këtë qëllim. Qeveria ka nisur gjithashtu dhënien e fondeve grant për 15 kompani në fushën e inovacionit. Duket se vendi do t’i kthehet sërish artizanatit. Qeveria planifikon që deri në fund të vitit t’u japë fonde grant 10 kompanive në sektorin e artizanatit. Po kështu, do të financohen me fonde grant 3 kompani të drejtuara nga gratë dhe 5 biznese fillestare start-up.

 

Investimet e huaja

Deri në fund të vitit 2014, ministria do të përfundojë dhe do t’i paraqesë qeverisë tre studime potenciale për investime të mëdha të huaja. Edhe për vitin 2015, do të ruhet ritmi i ardhjes së investimeve strategjike të huaja. Kështu, vitin e ardhshëm do të rritet fluksi i Investimeve të Huaja Direkte nëpërmjet dhënies së shërbimeve ndaj 10 investitorëve të huaj, 4 studimeve për potencialet investuese e eksportuese si dhe dhënien e 6 koncesioneve.

Kjo do të bëhet nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), e cila do të rrisë efektivitetin në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, tërheqjen e investitorëve të huaj, mbështetjen e SME-ve si dhe kompanive eksportuese. AIDA ka një staf prej 31 personash të ndarë në 4 departamente. Ndërkaq, vlerësimi i projekteve koncesionare dhe monitorimi i tyre do të bëhet nga agjencia ATRAKO. Stafi i ATRAKO-s vlerëson të gjitha llojet e koncesioneve që jepen nga të gjitha ministritë e linjës.

 

Grant për SME-të

Projekti parashikon dhënie grantesh për kompanitë eksportuese deri në 1 milion lekë për përmirësim marketingu dhe marrje pjesë në panaire ndërkombëtare. Fond tjetër i rëndësishëm që përdor Ministria e Zhvillimit Ekonomik, është ai për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë në tregun rajonal, i cili vitin e ardhshëm do të përfshijë edhe firmat që kryejnë novacione. Ndërsa në vitin 2015, parashikohet edhe krijimi i një klasteri (rrjeti bashkëpunues të këtyre kompanive novative). Në këtë kuadër parashikohet që në vitin 2016 të ngrihet një inkubator teknologjik. Një hap tjetër në këtë drejtim është strategjia për zhvillimin e biznesit dhe investimeve 2014-2020. Ajo parashikon ngritjen e skemës për mbështetjen e SME-ve me konsulencë për t’u bërë më inovative nëpërmjet “voucher skeme”. Për vitin 2015, do të këshillohen 20 kompani.

 

Bilancet “online” në QKR

Ministria planifikon që QKR-ja, brenda vitit 2014, të funksionojë online. Pra, nga çdo qytet apo komunë e vendit mund të bëhen aplikime të bizneseve online si dhe miratimi i regjistrimit të tyre brenda 24 orëve. Projekti kushton 29 milionë lekë dhe është duke u zbatuar. Gjithashtu, qeveria ka në plan të vendosë sistemin e raportimit online nga SME-të të bilanceve financiare. Ndërsa Qendra Kombëtare e Licencave, sipas parimit “one stop shop”, do të trajtojë dhe do të japë licenca për aktivitet për bizneset, në fusha të ndryshme sipas kuadrit ligjor përkatës. Pra, veprimtaria e saj do të lehtësojë punën e kompanive në marrjen e licencave.

 

Programi Kredia italiane, 25 milionë euro

Zbatimi i programit italian ‘Për mbështetjen e SME-ve’ për momentin është më i madhi. Në bazë të marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane është miratuar kredia me kushte lehtësuese në mbështetje të SME-ve në vlerën prej 25 milionë eurosh. Marrëveshja është ratifikuar nga Parlamenti dhe projekti është në fazën e dytë. Me këtë kredi, deri në fund të vitit 2014, synohet rritja e performancës së bizneseve nëpërmjet kreditimit me kushte lehtësuese të 20 bizneseve dhe sigurimi i trajnimeve për ta./ Gazeta Shqip


Më të lexuarat