Secondary Adv

Projekti per hekurudhen Bari-Durres-Tirane-Shkup-Sofje-Varna

 

Një projekt tjetër i dokumentit të firmosur nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit është ai i linjës hekurudhore që lidh vendet e Ballkanit. Projekti lidh hekurudhën e vendeve të Ballkanit me rrjetin hekurudhor të Bashkimit Europian. Përsa i përket Shqipërisë, nëse realizohet ky projekt, atëhere i gjithë sistemi i transportit hekurudhor do të ristrukturohet. 

 

Presidenti i Komisionit Europian Barroso i ka premtuar 12 miliardë euro investime, vendeve të Ballkanit Perëndimor për 6 vjetët e ardhshëm, 2014-2020, prej të cilave, 20% do të përdoren për projekte rajonale.

Këto financime do të jenë grante dhe hua që do të ndihmojnë zhvillimin e vendeve dhe të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, pasi, siç tha Barroso, “ka shumë hallka që mungojnë për sa i përket, rrjeteve hekurudhore apo energjitike. Po ashtu, ai ka vënë në dukje se ato do të shërbejnë edhe për të trajnuar të rinjtë si dhe sistemin gjyqësor dhe atë të policisë, pra, për forcimin e së drejtës. Kompletimi i korridoreve europiane të transportit 8 dhe 10 do të ofrojë transport të përshtatshëm dhe akses më të lehtë në tregun e BE.

 

 

 

Investimet

BE-ja do të investojë rreth 30 milionë euro në segmentin Manastir-Kremenicë të hekurudhës maqedonase nëpërmjet fondeve të para-pranimit, që do të rivendosin lidhjen me Greqinë nëpërmjet Manastirit. BE-ja tha gjithashtu se do të realizojë një projekt për përfundimin e hekurudhës nga Kriva Palanka në kufirin Maqedoni-Bullgari dhe do të financojë ndërtimin e pjesës 31 kilometra nga Kumanova në Bjelakovce në korridorin e transportit 8 Lindje-Perëndim.

Bullgaria po përdor tashmë fondet e BE-së për të përfunduar pjesën 2 kilometra të hekurudhës në kufirin maqedonas. Hekurudha është një nga mënyrat më të shkurtra të lidhjes së Evropës jugore me Azinë qendrore dhe Lindjen e Mesme. Projekti per hekurudhen nis ng Bari, Durres, Tirane, Shkup, Sofje dhe perfundon ne Varna.

 

Hekurudhat jo vetëm mundësojnë një rrjedhje më të shpejtë të mallrave, por sigurojnë një metodë më të qëndrueshme transporti. Kjo hekurudhë do të hapë gjithashtu mundësi më të mëdha për njerëzit, jo vetëm midis vendeve fqinjë, por përtej, që është qëllimi i korridorit 8 dhe 10. Brenda kontekstit të pranimit në BE, përmirësimi i infrastrukturës së hekurudhave do të thotë akses më i lehtë në tregun e përbashkët të BE-së dhe mundësi për të ndjekur prirjet dhe praktikat komerciale e të tjera të BE-së.

 

ERGOSE, filial i Organizatës Hekurudhore të Greqisë, tha se Greqia ka një program investimi në hekurudha për vitet 2004-2020, program i bashkëfinancuar nga BE-ja. “Plani i Maqedonisë, fqinji i Greqisë, për rinovimin e infrastrukturës së vet hekurudhore Manastir-Kremenicë-Kafkasos, do të përmirësojë lidhjen ekzistuese të transportit midis të dy vendeve si dhe do të zhvillojë më tej fluksin e transportit të njerëzve e mallrave:, tha ERGOSE në një deklaratë.

 


Më të lexuarat