Secondary Adv

Si e shohin te huajt Shqiperine

 

Për europianët (madje edhe fqinjët), Shqipëria është njëkohësisht e njohur dhe e panjohur. Në vitin 2005, ndër turistët e huaj më të shumtë në numër ishin zviceranët. Atëherë numri i tyre llogaritej në 6,000, në vitin 2013, ky numër arriti në 40,000.
Por, fqinjët përtej Adriatikut, padyshim që janë më të shumtë në numër. Në vitin 2013, italianët që vizituan brigjet tona për të pushuar ishin mbi 90,000, ndërsa parashikohet që gjatë 2014-s ky numër të rritet me të paktën 10%. Madje së fundmi është botuar edhe një guidë me 180 faqe në gjuhën italiane për të njohur më mirë vendin e “shqiponjave”. Por, ja sesi fqinjët tanë e promovojnë turizmin në këtë destinacion ende të paeksploruar në tërësinë e tij.

Det dhe kulturë në Shqipëri, destinacioni i ri i panjohur.

 

 

Prenotime dhe kërkesa në rritje për vende origjinale ku mund të ngulni çadrën ose të vizitoni muze dhe site arkeologjike. Ajo që e favorizon turizmin në Shqipëri, sipas portaleve turistike italiane, është edhe situata në Egjipt dhe në Detin e Kuq. Këto situata favorizojnë detinacionet alternative, larg turizmit masiv. Shqipëria është një nga tendencat e fundit të pushimeve që sugjeron portali online CartOrange i specializuar në turizëm dhe që ka mbi 400 konsulentë. Sipas portalit, turistët gjithnjë e më shumë janë në kërkim të destinacioneve ku mund të gjejnë jo vetëm detin, por edhe aktivitetet kulturore e që kryesohen nga Greqia dhe Spanja, të ndjekura nga Turqia. Surpriza e këtij sezoni është pikërisht Shqipëria, që cilësohet si sekreti i fundit i Europës. Një vend mjaft tërheqës, i pasur në histori, me natyrë dhe plazhe ende të padëmtuara, por edhe i sigurt për të pritur turistët. Katalogu i ri i CartOrange “Udhëtime në kohë” propozon itinerare që nuk lënë vend për monotoni.

 

 

Destinacioni më i preferuar mbetet Greqia. Propozohen ture klasike, si: Korinthi, Sparta, Delfi, Olimpia që mund të shoqërohen edhe me një qëndrim edhe në ishullin Cikladi. Shumë të vlerësuara janë edhe itineraret që ndjekin gjurmët e Alessandro Magno e Filippo II, që kërkonin të zbulonin vende të fshehura, larg turizmit masiv nga Selaniku në Pella, nga Anfipoli në Stagira.
Një tjetër destinacion shumë tërheqës është Turqia, ku propozohet një tur, si ai i udhëtarit të parë në histori që ishte Herodoti, që me rrëfimet e tij prezantoi një vend të pasur në dëshmi të së kaluarës, me panorama që të lënë pa frymë. Mund të udhëtohet pa fund në mbretërinë persiane, në qytetërimet greke që shtrihen në detin Egje, në ato romake dhe deri në zemër të Kapadokias.

 

 

Por, zbulimi i vërtetë i kësaj vere është Shqipëria, një alternativë me kosto të ulët dhe që ende është e pazbuluar. Iliria e vjetër vjen në këtë katalog si një risi që propozohet të shihet me formulën “fluturo dhe udhëto”. Është një vend i sigurt edhe për ata që udhëtojnë vetëm, që ka shumë bukuri, si në aspektin kulturor, ashtu edhe në atë të plazheve. E në fakt, territori shqiptar është plot diversitet dhe kontraste, që është lëshuar në krahët e modernitetit, por duke mos iu larguar së shkuarës. Është një vend ku kishat bizantine ngrihen krah më krah me xhamitë dhe bashkëjetojnë në vendbanime si Butrinti dhe Apolonia. Nga Berati, pasuri e njerëzimit, në Durrës, duke kaluar në Gjirokastër dhe Sarandë, me “syrin misterioz blu”. Për të zbuluar më pas “sekretin e fundit të Europës”, plazhet e mrekullueshme, që nuk kanë asgjë për t’ia pasur zili vendeve të tjera që lagen nga Mesdheu.

 

 

Plazhe që të lënë pa frymë, zbulimi i 2014-s
Ibiza? Kroaci? Kanarie? Greqi? Këto janë destinacione më se të konsoliduara që çdo vit tërheqin qindra e mijëra turistë dhe këtë fakt e dinë edhe “muret”.

 

 

Por, dëgjoni se çfarë shkruajnë portalet e turizmit: Risia e verës 2014 është një tjetër vend dhe quhet Shqipëri. Nëse doni që të bëni pushime alternative dhe me kosto të ulët, atëherë jeni ende në kohë që të organizoni një udhëtim në këtë vend. Si në shtator, ashtu edhe në tetor, klima është e favorshme dhe plazhet janë më pak të populluara.
Nuk e kishit menduar? E, në fakt, në anën tjetër të Adriatikut gjendet një realitet krejtësisht i ri, i gjithi për t’u zbuluar. Vendi i “shqiponjave”, përveç vendeve të zakonshme ka shumë për të ofruar, si nga pikëpamja historiko–kulturore, po ashtu edhe peizazhet. Plazhet dhe ujërat bregdetare shihen thjesht spektakolare.

 

 

Po përse Shqipëria po kthehet në një destinacion të kërkuar? Për një sërë faktorësh, citojnë portalet e specializuara të turizmit. Së pari, nënvizohet se Shqipëria ka bërë progres në zhvillimin ekonomik, duke përfshirë edhe turizmin.
Përmirësimi i situatës ka dhënë mundësi që të kthehen sytë nga një pasuri historike dhe mjedisore, lënë gabimisht pas dore. Në imagjinatën kolektive, Shqipëria është thjesht një vend i varfër, nga i cili ia mbathin të gjithë. Në të vërtetë, pas rrëzimit të komunizmit gjithçka ndryshoi. Nuk është rastësi që shumë investitorë e zgjedhin Shqipërinë si një vend për të bërë biznes dhe kanë verifikuar se nuk mund të shkohet gjithmonë me mentalitetin: “kam dëgjuar se”.

 

 

Ata që nuk kanë dashur të influencohen, kanë gjetur një vend “aleat” në kohë krize ekonomike: mundësinë për të kursyer, për të pasur një udhëtim me çmime konkurruese, por edhe një ftesë për ata që edhe në kohë të vështira si këto, nuk duan të heqin dorë nga ideja për të marrë me vete lopatat dhe syzet dhe të zhyten në ujërat e kristalta.

 

 

Mes destinacioneve bregdetare më të spikatura veçohet fshati Dhërmi në jug të Vlorës, që konsiderohet si një nga perlat e rivierës.
Shumë i këndshëm është edhe plazhi i Jalës. Në kufi me Greqinë, gjendet Saranda, me plazhet e mrekullueshme të Krorëzit dhe Ksamilit, me shumë ishuj të vegjël që mund të arrihen edhe me not. Interesante paraqitet edhe Vlora (pjesë e së cilës edhe Himara), ndërsa Porto Palermo “godet” me natyrën e pazakontë.

Me pak fjalë, i gjithë bregdeti shqiptar meriton që të eksplorohet. Dhe jo vetëm ai. Shqipëria është një vend ku kryqëzohen qytetërimet dhe kulturat, që në shekuj ka zhvilluar një pasuri historike. Ky përshkrim i shkurtër është më se i mjaftueshëm për të vënë në anën tjetër të “ringut” edhe më skeptikët e pandreqshëm.


E vërtetë është se Shqipëria i ka të gjithë “letrat” për të tërhequr të gjithë vëmendjen e mundshme nga turistët. Në vitet e ardhshme vendi i shqiponjave do të “fluturojë” edhe më lart/Monitor


Më të lexuarat