Secondary Adv

Lista e projekteve rrugore, 100 km segmente ne Jug dhe Veri

 

Në gjysmën e parë të vitit u duk sikur qeveria do të kursente nga paratë e investimeve publike, por në verë janë hapur shumë kantiere ndërtimi të rrugëve. Nga burime të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës mësojmë se, janë në proces ndërtimi dhe rehabilitimi 76 km rrugë të rrjetit kombëtar, si dhe në sistemim asfaltim e riveshje 14 km rrugë rurale dhe dytësore.

 

Programi, sipas autoriteteve, mbulon zgjerimin, rritjen e standardeve dhe mirëmbajtjen e rrjetit kombëtar të rrugëve, përfshirë korridoret dhe rrugët për në destinacionet kufitare dhe turistike. Synohet krijimi i një transporti të qëndrueshëm, që nënkupton uljen e kostos, rritjen e shpejtësisë së lëvizjes, sigurinë rrugore e atë fizike të mjetit, pasagjerit dhe ngarkesës, si dhe parametra të pranueshëm mjedisorë.

 

Në veri

Rruga Kukës-Morin ka disa vepra arti që nuk ishin mbaruar, por që tashmë janë në proces zbatimi. Bëhet fjalë për plotësimin e ndërtimit të rrugës me 4 kalime, dublimin me vepra arti të mëdha. Buxheti i këtij viti ka ndarë për këtë projekt 304,7 milionë lekë.

 

 

Edhe segmenti Fushë-Krujë – Milot, i njohur përmes kronikave të zeza të aksidenteve, po vazhdon të plotësohet. Ky është një dublim i superstradës, e cila do të përfundojë në vitin 2016. Rruga do të jetë e standardeve ndërkombëtare dhe për këtë vit janë disbursuar 127,4 milionë lekë.

Një rrugë modeste për nga vlera e ndërtimit është segmenti Bajram Curri – Margegaj – Dragobi – Valbonë, por destinacioni i saj turistik e bën mjaft të nevojshme për komunitetin e asaj zone. Ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugës turistike me 2 kalime për këtë vit ka marrë 50 milionë lekë. Rruga Kalimash-Morin po plotësohet me sinjalistikë. Synohet eliminimi i pikave të zeza që do të arrihet pas ndërtimit dhe rikonstruksionit të veprave të artit të vogla, vendosjes së ndriçimit të autostradës, pajisjes me guardrail për rritjen e sigurisë së lëvizjes së mjeteve. Duke mbetur në këtë pjesë të rrugës kombëtare, vlen të përmendin tunelin e Thirrës. Mbajtja në gatishmëri të plotë dhe funksionimi i pajisjeve të tunelit, menaxhimi, mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimi i tunelit të Thirrës ka marrë nga buxheti 26,7 milionë lekë.

Këtë vit, mirëmbajtja e rrugës Tiranë-Kukës është bërë mbi bazën e projektit pilot të transportit në qarqet Tiranë dhe Kukës, si dhe projektit të mirëmbajtjes, një financim i Bankës Botërore prej 139,6 milionë lekësh për këtë vit.

Ndërkaq, ndërtimi i segmentit rrugor Shkodër – Hani i Hotit për 2014-n ka marrë nga buxheti shtetit 585,8 milionë lekë. Një rrugë e vogël që i shërben Fierzës është segmenti Koman-Fierzë. Ka nisur ndërtimi i lotit të parë të rrugës së re me dy kalime nga liqeni i Komanit. 10 milionë lekë janë ndarë nga buxheti për këtë projekt gjatë vitit 2014.

 Kurse projekti gjigant, për të cilin kanë shprehur interes firmat kineze për ta marrë me koncesion, Rruga e Arbrit, ka marrë 500 milionë lekë. Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugës së re me dy kalime, vazhdim i rrugës së Arbrit, Tiranë-Bulqizë. Gjithashtu, në ndërtim e sipër është edhe nyja lidhëse Milot-Lezhë, Rrëshen-Thumanë me dy kalime, e cila i kushton buxhetit 1,5 miliardë lekë. Kurse për sistemimin e asfaltimin e rrugës kufitare me dy kalime Kukës-Krumë janë ndarë 157 milionë lekë. Gjithashtu po bëhen riveshje dhe sistemim asfaltim në segmentin Milot-Lezhë që kushtojnë 31 milionë lekë.

 

Në Jug

Rruga Lushnjë-Berat është një nga projektet më të rëndësishme në Jug të vendit. Duke qenë edhe premtim elektoral, ajo është vënë në qendër të vëmendjes. Ndërtimi dhe rehabilitimi i segmentit me 2 kalime ka marrë për këtë vit 474,3 milionë lekë.

Ndërkaq, ka nisur zbatimi i projektit për segmentin Fier-Levan + by pass Fier, i financuar nga donatorët europianë dhe qeveria shqiptare. 2,1 miliardë lekë janë planifikuar vetëm për vitin 2014. Duke gjarpëruar rrëzë Vjosës, po vazhdon ndërtimi i segmentit rrugor Fier (Levan)-Tepelenë, që këtë vit ka marrë plot 1,2 miliardë lekë.

Në vijim, duke ecur drejt Vlorës, janë bërë riparime në autostradën Levan-Vlorë në vlerën 14,1 milionë lekë. Dhe së fundi ka nisur ndërtimi i by pass-it të Vlorës, që këtë vit do të financohet me 1.5 miliardë lekë, në bazë të një huaje të marrë nga Banka Europiane. Me financim të madh vazhdon edhe ndërtimi i by pass-it Tepelenë, pjesë e rrugës së Jugut, e cila për këtë vit merr mbi 1 miliard lekë.

Një rrugë turistike, tipike në shërbim të turizmit është segmenti kanali i Çukës-Butrint (loti 1,2). Ndërtimi dhe rehabilitimi i kësaj rruge lidhëse me zonën arkeologjike ka marrë për këtë vit 106,7 milionë lekë. Në këtë rreth vazhdon ndërtimi i segmentit rrugor Konispol-Sarandë, që mbaron në vitin 2015. Për vitin 2014 janë dhënë 280,1 milionë lekë.

Këta muaj pritet të përmbyllet ndërtimi i segmentit Vidhas-Kombinati Metalurgjik Elbasan, që është rrugë lidhëse me 2 kalime. Qeveria ka dhen 15 milionë lekë fond për shtesë punimesh. Po në këtë rreth po bëhet sistemim asfaltim i rrugës Gjinar-Elbasan me vlerë 24,6 milionë lekë. Punimet përfshijnë riveshje të rrugës turistike me 2 kalime.

Me shumë përparësi është parë nga qeveria ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugës së parkut industrial në Durrës. Ajo ka katër kalime dhe zgjatet nga Porto Romano në Durrës. Për këtë vit, nga buxheti për këtë rrugë janë dhënë 272,8 milionë lekë. Kurse by pass-i i Shkozetit, Durrës ka marrë nga buxheti i shtetit 1,34 miliardë lekë.

Dhe duke zbritur më në Jug, bien në sy punimet e zgjatura në vite të rrugës Kavajë-Rrogozhinë. Më në fund ajo do të përmbyllet me ndërtimin e by pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë. Ajo është kryesisht rrugë e re me katër kalime. Janë dhënë 664,1 milionë lekë për ta përfunduar dhe pothuajse kaq për përfundimin e pjesëve të paplotësuara të rrugës.

 Po kështu, i është dhënë një impuls i ri zbatimit të projektit Qukës-Q.Pllocë. Ajo është rrugë kryesisht e re me dy kalime, gjurma e Rrugës Egnatia. Qeveria për këtë vit ka dhënë 3,5 miliardë lekë.

Ndërsa segmenti Qafëthanë-Lin-Pogradec-Tushemisht-Doganë që vazhdon t’i mundojë udhëtarët, po shkon drejt një faze përfundimtare. Projekti parashikon riveshje, sistemim, asfaltim rruge me dy kalime përgjatë liqenit. Qeveria ka vënë në dispozicion 171,2 milionë lekë.

 Qeveria u kujdes që të zbriste rrugë të asfaltuara në disa plazhe të reja në bregdetin e Himarës. Këto rrugë lidhëse dytësore nga Llogoraja në Sarandë kanë kushtuar 45 milionë lekë. Një pamje të re po merr segmenti Tri Urat-Leskovik. Projekti që përfshin sistemim, asfaltim të rrugës kufitare me dy kalime ka marrë 51,4 milionë lekë. Dhe për të gjitha këto projekte janë paguar mbi 1 miliard lekë shpronësime ndaj qytetarëve.

 

Pikat e rrezikut, fondet, aty ku ka pasur aksidente

Përmirësimi në rrjetin rrugor kombëtar i 47% të pikave të rrezikut të identifikuar, është objektiv i shpallur nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Janë 228,7 milionë lekë të planifikuara vetëm për këtë qëllim. Në këtë kuadër është parashikuar që deri në fund të vitit të ndërtohen ura dhe mbikalime, të bëhen rikonstruksione të urave kryesisht në rrugë me dy kalime, vlera e të cilave në total shkon në 212,2 milionë lekë. Po kështu, pritet në të ardhmen përmirësim i mirëmbajtjes nëpërmjet sistemit të menaxhimit të pasurive rrugore me kompani të sektorit privat, të kontraktuara për mirëmbajtjen 100% të rrjetit kombëtar të rrugëve bazuar në performancë. Një tjetër tregues që, sipas autoriteteve të Ministrisë së Transporteve, do të ndryshojë për mirë, është rritja e densitetit dhe raportit të shtrirjes së rrugëve kombëtare, kryesisht nga kalimi i rrugëve të rrjetit rural (pas ndërhyrjes dhe përmirësimit) në rrjetin kombëtar nën administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

 

Tirana do të mbyllë unazat, ja projektet e nisura

Vazhdon ndërtimi i rrugëve anësore në autostradën Tiranë-Durrës. Njëra prej tyre është nyja e Vorës, për të cilën janë dhënë 310,7 milionë lekë dhe do të përfundojë brenda vitit.

Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan, sipas standardeve teknike me katër kalime, do të marrë deri në përfundim 3,9 miliardë lekë. Kurse për Unazën e Re të Tiranës janë planifikuar 778 milionë lekë. Bëhet fjalë për segmentin me katër kalime, me trotuare dhe ndriçim, që nis nga Komuna e Parisit deri te rruga Tiranë-Elbasan.

Po kështu vazhdon zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, segmenti Fakulteti Filologjik-Unaza e Madhe Tiranë, ndërtim sipas standardeve teknike me katër kalime. Ndërkaq, menaxhimi, funksionimi e mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimi i tunelit të Kërrabës kushtoi 47,8 milionë lekë. Janë planifikuar për këtë vit 727,8 milionë lekë.

 Unaza e Re e Tiranës, segmenti Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike dhe Rruga e Kavajës do të marrë 1,3 miliardë lekë. Kurse përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore ne superstradën Tiranë-Durrës, segmenti Kashar-Rinas ka kushtuar 250 milionë lekë./Gazeta Shqip


Më të lexuarat