Secondary Adv

BSH: Sektori i ndertimit, 38.1 per qind e kredive jane me probleme

Ndërtimi është sektori i ekonomisë me shkallën më të lartë të kredive me probleme. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2015 niveli i kredive me probleme në këtë sektor ishte 38.1%.

 

Pavarësisht përmirësimit të ecurisë së këtij sektori vitin e kaluar, kryesisht falë projekteve të veçanta, sërish, në tërësinë e vet, ndërtimi mbetet dega më problematike për sistemin bankar. As përmbyllja e procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura nga qeveria duket se nuk e ka sjellë dot nivelin e kredive të këqija në nivele më të pranueshme. Megjithatë, vitet e fundit ekspozimi i sistemit bankar në sektorin e ndërtimit ka rënë disi dhe në vitin 2015 kredia për ndërtimin zinte rreth 9.2% të kredisë për ekonominë.


Sektor tjetër me nivel të lartë të kredive me probleme është ai i hoteleve dhe restoranteve, ku shkalla e kredive me probleme është 29.8%. Megjithatë, ky sektor ka një peshë relativisht të ulët në totalin e kredisë për ekonominë, me rreth 2.7%. Sektori që ka njëkohësisht peshë të lartë në kreditim dhe cilësi të dobët të portofolit është tregtia. Kredia për tregtinë zë afërsisht një të katërtën e gjithë kredisë për ekonominë. Nga ana tjetër, në çdo 100 lekë kredi për sektorin e tregtisë, 28.9 lekë janë kredi të këqija.


Sektorë të tjerë që kanë nivele të larta të kredive me probleme janë edhe shëndetësia, me 27.2% dhe arsimi me 24.2%, por, për fat, këta sektorë kanë një peshë mjaft të ulët në totalin e kredisë.Në krahun tjetër, portofoli i individëve ngelet me parametra më të mirë cilësorë. Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli i kredive me probleme te individët vitin e kaluar ishte 13.2%, shifër kjo ndjeshëm më e ulët se mesatarja e biznesit, që për të njëjtën periudhë ishte 21.5%.
Huatë me probleme kanë shënuar përsëri rritje në prill, duke u ngjitur sërish në nivelin 20%. Në mars të këtij viti, ky tregues ishte 19.3%, ndërsa në dhjetor 2015 kishte zbritur madje në nivelin e 18.2 përqindëve. Sistemi bankar fshiu rreth 23 miliardë lekë hua të humbura, që kishin më shumë se tre vjet që nuk paguheshin, në vitin 2015.


Më të lexuarat