Secondary Adv

Banesat sociale, sa te ardhura duhet te kesh per ta perfituar

Të pastrehët trajtohen me banesa sociale në kushtet kur nuk kanë mundësi që ta blejnë atë, por për të arritur në këtë finale ka disa procedura dhe kushte.


Pas miratimit të Strategjisë që përfshin vitet 2015­2025 duket se vëmendja do të fokusohet tek ligji për programet e strehimit social. Në draftin e Ministrisë së Zhvillimit Urban janë bërë ndryshime rrënjësore krahasuar me ligjin ekzistues.Një ndër to ka të bëjë edhe me përcaktimin e kufirit të të ardhurave të familjeve për të përfituar banesë me kosto të ulët.


Me ligjin aktual në nenin 19 thuhet se kufijtë minimalë dhe maksimale të të ardhurave i përcaktojnë njësitë vendore, ndërkohë që kësti i kredisë s’mund të jetë më i lartë se 35 për qind i të ardhurave të familjes. Me draftin e ri të ligjit përcaktohet qartë kufiri i të ardhurave duke mos ja lënë në dorë njësive vendore.Konkretisht në nenin 49 thuhet: “Përzgjidhet për t’u trajtuar me banesë me kosto të ulët, familja me të ardhurat maksimale mujore jo më të larta se 120 për qind e të ardhurave mesatare dhe me të ardhurat minimale mujore jo më të ulëta se 30 për qind, të përcaktuara për çdo bashki”.


Po kështu ligji parashikon edhe një tjetër rast për nivelin e të ardhurave kur banesa me kosto të ulët sigurohet nëpërmjet një kredie hipotekore nga bankat e nivelit të dytë, me interesa të lehtësuar nga buxheti i shtetit ose njësive të qeverisjes vendore.Në këtë rast niveli maksimal i të ardhurave llogaritet nga zbatuesi i programit, bazuar në vlerat mesatare të shitblerjes së banesave në treg për çdo bashki/qytet, normat e strehimit, kushtet e kreditimit nga bankat e nivelit të dytë dhe treguesin e aftësisë paguese, jo më shumë se 30 për qind.


I njëjti draft ndryshon edhe disa kritere të tjera për përfituesit ku në rast se aktualisht, mosha totale për çiftet e reja është 55 me draftin shkon 60 vjeç. Lista e përfituesve është shtuar edhe me emigrantët e rikthyer, viktimat e trafikimit, të dhunës në familje, familjet me më shumë se katër fëmijë çka nuk i gjejmë si kategori përfituese aktualisht.


Më të lexuarat