Secondary Adv

BERZH: Mjedis i veshtire per kreditimin ne Shqiperi, bizneset kane shtyre planet e investimeve

Banka e Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka analizuar së fundmi se kreditimi i sektorit të korporatave në Shqipëri ka hasur në  një mjedis veçanërisht të vështirë gjatë tre viteve të fundit dhe shumë biznese i kanë anuluar ose shtyrë planet e tyre të investimeve.


Në fillim të vitit 2015, BERZH E mori mbrapsht me sukses investimin e saj nga Antea Cement, një projekt që ka shërbyer për rritjen e konkurrencës në industrinë e çimentos.Banka do t’i mbështesë korporatat dhe SME-të në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet financimit të borxhit dhe financimit të kapitalit; si dhe do të ofrojë këshillim për biznesin, me synimin e forcimit të konkurrueshmërisë ndërmjet ndërmarrjeve nëpërmjet përmirësimit të aftësive, investimeve në teknologjitë moderne, investimeve me eficencë energjetike dhe të qëndrueshme, qeverisjes së mirë, praktikave dhe standardeve më të mira të biznesit.


Banka do të përpiqet po ashtu të ndihmojë për rifillimin e kreditimit për sektorin privat nëpërmjet produkteve me ndarje risku dhe linja të dedikuara kreditimi me bankat tregtare, dhe nëpërmjet angazhimit në këshillim për politikat për zgjidhjen e huave të këqija. Së fundmi, duke përdorur në maksimum momentin e ripërtërirë të reformave nga autoritetet, Banka do të zgjerojë aktivitetet e saj nën Nismën per Klimën e investimeve dhe Qeverisjen.


BERZH thotë se përpos kreditimit të dobët, ka një aktivitet shumë të kufizuar në tregun e bonove përveç instrumenteve të borxhit qeveritar. Ka vetëm pak emetues të mëdhenj që janë të gatshëm të përmbushin standardet e larta të deklarimit dhe transparencës së biznesit. Përveç kësaj, duke pasur akses në financim të besueshëm dhe kosto efektiv nga depozitat, pjesa më e madhe e bankave nuk kanë stimuj të fillojnë emetimin e bonove në tregun lokal. Krahas numrit të kufizuar të bonove të emetuara, pjesa më e madhe e tyre janë të disponueshme vetëm për pak investitorë privatë (p.sh., depozituesit e favorizuar të emetuesit, ose investitorë të pasur) pa një mekanizëm konkurrues tenderimi.


Një treg i shëndetshëm bonosh për korporatat është i nevojshëm për të ofruar një burim të qëndrueshëm të financimit me afat për bankat lokale dhe veçanërisht për institucionet e mikrofinancës. Për kthimin e besueshmërisë së bonove të korporatave si klasë aseti me një strukturë të thjeshtë dhe transparente bonoje, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) duhet të mbështesë ofertat institucionale duke krijuar një kuadër të qartë rregullator për emetimin e bonove të korporatave që orientohen drejt investitorëve më të sofistikuar.


Më të lexuarat