Secondary Adv

Tony Blair: Krenar qe ndihmova Ramen te sjelle begati ne Shqiperi

Pasi ish-kryeministri britanik lajmëroi se po mbyll perandorinë e tij të biznesit, zyra e tij konfirmoi për BIRN se punët me Shqipërinë, të cilat nuk u bënë kurrë publike, janë gjithashtu të përfunduara.


 “Tony Blair Associates”, që po mbyllet, i ka përfunduar detyrat e veta me qeverinë shqiptare, duke i dhënë fund një bashkëpunimi që filloi në vitin 2013.
“Tony Blair Associates e ka përfunduar projektin e vet me Shqipërinë dhe është e kënaqur për ndihmën e ofruar kryeministrit (Edi Rama) dhe qeverisë së tij në përpjekjet për të sjellë begati më të madhe për popullin e Shqipërisë,” tha për BIRN përmes një emaili një këshilltar i medias i Blair.
“Siç e dini, Blair ka thënë shpesh se sa vlerë ka pasur vendi dhe populli [shqiptar] për të,” vazhdoi ai.


Të martën, në një lajmërim publik, ish-kryeministri dhe lideri i partisë laburiste Blair tha se po mbyllte veprimtarinë e tij lobuese dhe këshilluese të shumëkritikuar për t’u përqendruar te puna jo-fitimprurëse dhe bamirësia.Tony Blair Associates, u themelua në 2007 dhe arriti kulmin duke punësuar 200 persona, të cilët punonin në më tepër se 20 vende të ndryshme të botës.Puna e Blair në Shqipëri ka mbetur gjithnjë mistar dhe nuk u zbulua kurrë realisht. Bashkëpunimi filloi në shtator 2013, në të njëjtin muaj që Rama mori detyrën si kryeministër.


Pasi u takua me Blair në Nju Jork dhe Londër, Rama bashkëdrejtoi një takim me Blair në tetor 2013, kur ai shpjegoi se ish-kryeministri anglez do të ndihmonte qeverinë e re të qendrës së majtë në Tiranë të prioritizonte reformat dhe të kishte një ndryshim real në jetët e njerëzve.
Në një intervistë me Top Channel TV, Blair theksoi se ishte i vendosur të ndihmonte qeveritë që donin të bënin ndryshime reale ndërsa u përqendrua në lidhjen e tij të veçantë me shqiptarët si rezultat i luftës në Kosovë.
“Nëse nuk je i kujdesshëm, politika mbetet vetëm në nivel fjalësh dhe vizioni. Ndaj është e rëndësishme të përmbushet ky vizion, për të përmirësuar jetët e shtetasve përmes energjisë elektrike, furnizimit me ujë, arsimit dhe shëndetit. Këto janë gjëra të rëndësishme, ndaj unë ndihmoj vendet në të gjithë botën ta bëjnë realitet këtë objektivë”, tha Blair në intervistë.


Blair foli gjithashtu rreth krijimit të njësive të veçanta të shpërndarjes në Shqipëri, ndërsa theksoi se biznesi i tij nuk do të merrte asnjë para nga qeveria shqiptare dhe se do të financohej me ndihmën e organizatave globale që punojnë në vendet në zhvillim.
Megjithatë, pas kësaj, nuk u gjet asnjë informacion nga ai apo qeveria shqiptare rreth këtyre njësive të veçanta apo projekteve konkrete të financuara.
Në gusht të këtij viti, Blair pati një vizitë private në Dhërmi për të takuar Ramën. Shumë persona besonin se në atë kohë kontrata e këshillimit vazhdonte ende.


Puna këshilluese e Blair e ka bërë atë të pasur por gjithashtu shumë jopopullor në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai rregullisht sulmohet në media,  veçanërisht për punën në vende si Kazakistani.Në vitin 2015, Blair shtoi edhe Serbinë në listën e vendeve që paguhej për të këshilluar, pavarësisht rolit të tij si nxitës i bombardimeve të Beogradit në 1999.


BIRN ka raportuar se Blair këshilloi kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç, dikur një kritik i madh i tij, sipas një marrëveshje që besohet se financohej nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Blair dhe skuadra e tij kanë bërë vizita të rregullta në Beograd në 2015, thanë burimet qeveritare serbe.
BIRN ka kontaktuar qeverinë në Beograd rreth veprimtarisë së Blair në Serbi, por zyra e kryeministrit tha se do të përigjigjej në ditët e ardhshme./Mapo


Më të lexuarat