Secondary Adv

Vizita e Papes, policia nis zbatimin e masave, 2500 efektive ne shesh

 

Vizita e Papa Françeskut ka bërë që të merren masa  te rrepra për ditën e nesërme, e dielë 21 shtator. Ministria e Brendshme ka bërë publike masat e marra, duke treguar edhe rrugët dhe zonat ku nuk duhet parkuar duke nisur nga ora 12:00 e ditës së sotme.

 

Në këtë operacion janë bashkuar: Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Garda e Republikës, dhe Drejtoria Përgjithshme e Emergjencave Civile. “Bashkë me Policinë e Shtetit, janë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktiviteteve të programuara në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë”, bëri të ditur dje Ministria e Brendshme.

 

 

Aksioni i sigurisë

Policia e Shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara. Më urdhër të Kryeministrit Edi Rama, është ngarkuar Ministri i Brendshëm për organizimin dhe bashkërendimin e punës së të gjitha institucioneve të përfshira për marrjen e masave të sigurisë gjatë veprimtarive që do të zhvillohen me rastin e vizitës së Papës në Shqipëri.

 

 

Në zbatim të këtij urdhri, Ministri i Punëve të Brendshme ka caktuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë si drejtues i operacionit për sigurinë e vizitës së Papës. Grupi i Punës për sigurinë e Papës përfshin të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në zbatimin e këtyre masave. Është hartuar e vënë në zbatim një plan i posaçëm masash me detyra konkrete për të gjitha strukturat e policisë dhe të gjithë institucionet e përfshira me përgjegjësi konkrete për sigurinë e vizitës së Papës në Shqipëri.

Masat në kufi

Veç masave në Tiranë, janë marrë masa të gjithanshme duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar e deri në brendësi të territorit. Policia ka bërë të ditur se, do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohet aktivitetet e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prezenca e punonjësve të Policisë së Shtetit me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale. Gjithashtu, Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri të plotë për të shoqëruar të gjitha autoambulancat në rastet e emergjencave shëndetësore.


Më të lexuarat