Secondary Adv

Maqedonia hap tenderin per ndertimin e linjes se transmetimit 400kv me Shqiperine

Maqedonia ka avancuar në nisjen e punës për ndërtimin e linjës së transmetimit me Shqipërinë. Kompania shtetërore e transmetimit të energjisë, MEPSO ka hapur tenderin për shërbimin e mbikëqyrjes së një pjesë të projektit të linjës transmetimit Maqedoni-Shqipëri 400 kv, njoftoi Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ndërkohë qeveria shqiptare sapo ka miratuar në parim ndërtimin e kësaj linje.


Sipas kontratës, kompania duhet të sigurojë kontroll mbikëqyrës për sistemin e të dhënave (SCADA) për përmirësimin e rrjetit dhe të një nënstacioni, tha BERZH në  njoftim e prokurimit të publikuar të martën.Kompanitë e huaja dhe lokale janë të ftuara të aplikojnë deri më 19 dhjetor Kontrata pritet të fillojë më 15 shkurt 2017 dhe të zgjasë rreth 36 muaj.Linja e transmetimit në pjesën maqedonase kushton 49 milion Euro, shumë e cila është financuar nga një kredi BERZH dhe një grant i dhënë nga Korniza e investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Luksemburgut.


Me këtë investim, Shqipëria lidhet me të gjitha vendet fqinjë përveç Italisë me linja transmetimi të energjisë.
Një analizë e Komisionit Evropian për investimet në rajonin e Ballkanit detajon se ndërtimi i linjës së interkoneksionit të energjisë elektrike 400 kV Shqipëri – Maqedoni do të sjellë përfitime shtesë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë prej 314 milionë eurosh.Ky projekt është pjesë e iniciativës së Komisionit Europian për të krijuar korridorin e transmetimit të energjisë elektrike ndërmjet Bullgarisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë. Seksioni midis Bullgarisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë ka përfunduar dhe ndërtimi i linjës kabllore nëndet mes Italisë dhe Malit të Zi është duke u zhvilluar.


Në Shqipëri, rritja e ndjeshme në ngarkesën vjetore për shkak të burimeve të reja gjeneruese po ushtron presion mbi sistemet aktuale të transmetimit – vë në dukje analiza e KE-së. Kjo është bërë shkak për ndërprerje të shpeshta të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët vendas dhe bizneset.
Komisioni Europian vë në dukje se sistemet ekzistuese të transmetimit nuk do të jenë në gjendje për të përballuar burimet e reja gjeneruese të planifikuara për të zhvilluar në Jugun e Shqipërisë (p.sh., hidrocentraleve në Devoll, Vjosë, dhe kaskadat lumit Osum dhe HEC-e të tjera të vogla në lumenjtë e Jugut).


Ndaj dhe linja e re e transmetimit me Maqedoninë do ta bëjë sistemin e furnizimit me energji elektrike në Jug të Shqipërisë më të sigurt. Të paktën 800.000 njerëz dhe industritë e shumta në Fier dhe Berat, Kuçovë dhe rajonin e Elbasanit do të përfitojnë nga furnizimi i pandërprerë me energji elektrike, thuhet në studim.Komisioni Europian dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ofruan ndihmë financiare për fazat e identifikimit të projektit, si pjesë e Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor.


Më të lexuarat