Secondary Adv

Keshilli i Investimeve: 8 rekomandimet, si luftohet informaliteti

Ka një konsensus të gjerë mbi nevojën për formalizim të ekonomisë dhe avantazhet që ka ky proces për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, thithjen e investimeve serioze dhe rritjen ekonomike në afat të gjatë.

 

Por, nga ana tjetër, ka paqartësi për biznesin mbi hapat e mëtejshëm, shtrirjen në kohë të aksionit të ndërmarrë dhe mungesë informimi mbi planin e veprimit. Këshilli i Investimeve, pasi ka marrë në analizë të gjithë procesin, ka dhënë 8 rekomandime afatshkurtra dhe afatgjata për të luftuar evazionin fiskal.


Rekomandim 1 – afatshkurtër
Përgatitja dhe miratimi nga Këshilli i Ministrave i një Strategjie të mirëfilltë kundër ekonomisë informale mbi bazën e analizave sektoriale, që konsideron punën e deritanishme dhe krijon imazhin e një angazhimi serioz në afatgjatë të qeverisë. Dokumenti të shoqërohet me një plan veprimi, me qasje sektoriale, afate dhe institucione përgjegjëse të mirëpërcaktuara, të konsultuara dhe bashkërenduara me përfaqësuesit e biznesit.


Dokumenti të publikohet dhe procesi i hartimit të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Formalizimi të jetë gradual dhe mbështetet në një platformë me rregulla të qarta për biznesin. Kjo për faktin sepse sektorë të ndryshëm kanë specifika të ndryshme fiskale dhe sociale që ndikojnë nivelin e informalitetit, p.sh., sektori i energjisë apo sektori bankar janë më tepër formalë dhe të rregulluar në krahasim me agrobiznesin ku vihet re një shkallë e lartë e informalitetit.


Rekomandim 2 – afatmesëm
Rivlerësim dhe analizë e sistemit fiskal aktual (barra dhe politika) nëse dekurajon apo inkurajon formalizimin mbi bazën e elementeve të mëposhtëm. Ekspertë fiskalë dhe shumë sipërmarrje rekomandojnë për rishikimin në tendencë ulje të pragut të TVSH-së për të mos shkëputur zinxhirin e saj, ndërsa të tjerë nuk e shikojnë pragun e TVSH si problem, por vendosin theksin në përsosjen e administrimit tatimor.


Rekomandim 3 – afatshkurtër
Thjeshtim i burokracive administrative duke synuar reduktimin e numrit dhe kohës së kryerjes së pagesave në veçanti për biznesin e mesëm, të vogël dhe mikro dhe vendosja në dispozicion të tatimpaguesve të shërbimeve inovative, si p.sh., Pagimi i taksave dhe tatimeve online duke përdorur shërbimet financiare jobankare etj. Parë në këndvështrimin se 90% e bizneseve janë mikro dhe ka një nivel shumë të ulët të ndërgjegjësimit dhe njohurive financiare të bizneseve, këto masa do të jenë shumë lehtësuese.


Rekomandim 4 – afatshkurtër
Rritja e përgjegjshmërisë së administratës për t’iu përgjigjur reformës së formalizimit nëpërmjet transparencës së investimit dhe përshpejtimit në modernizimin e teknologjisë së informacionit si p.sh., mirëfunksionim i sistemit të ri të tatimeve dhe sistemit të riskut që duhet t’i paraprijnë aksioneve në terren duke rritur besueshmërinë e publikut. Së dyti, specializimi i administratës, veçanërisht asaj tatimore dhe doganore. Së treti, struktura të shpejta efektive apelimi dhe këshillimi, dhe përgatitjes së komentarëve dhe manualeve për inspektorët dhe sipërmarrjet lidhur me të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella.


Rekomandim 5 – afatmesëm
Reforma për formalizim duhet të ketë si objekt edhe lehtësimin e barrës administrative për tatimpaguesit, duke nxitur pajtueshmërinë me sistemin tatimor dhe sistemin rregullator dhe një standard më të lartë të të mirave dhe shërbimeve finale në aspektet e mëposhtme. Përmirësimi i infrastrukturës së institucioneve publike në drejtim të aplikimit të sistemeve online dhe rritje e shkëmbimit të informacionit në kohë reale. Kategorizim i saktë i profesioneve si në aspektin ligjor dhe administrativ dhe harmonizim i tyre ndërmjet QKR, Tatimeve dhe INSTAT për të mos krijuar konfuzion te tatimpaguesi dhe diferenca në trajtim nga administrata tatimore, si p.sh., rasti i profesioneve të lira.


Rekomandim 6 – afatshkurtër
Të konsiderohet bashkëpunimi i mëtejshëm me institucionet financiare bankare dhe institucionet financiare jobankare në kontekstin e strategjisë së formalizimit dhe përfitimeve të tij. P.sh., institucionet e mikrokredisë mund të luajnë rol të rëndësishëm për uljen e ekonomisë informale veçanërisht në zonat rurale, në të cilat ato kanë akses më të madh. Inkurajimi i transaksioneve bankare dhe pagesave elektronike si p.sh. nëpërmjet PoS, sidomos në tregti dhe shërbime. Zbatimi nga administrata tatimore i parashikimeve ligjore ekzistuese që nuk detyrojnë pajisjen me kasë fiskale në rastin kur tatimpaguesi nuk kryen arkëtime cash, ndihmon bizneset e vogla duke reduktuar kostot.


Rekomandim 7 – afatshkurtër
Të zbatohet ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, i cili rregullon procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik dhe paraprak të projektligjeve, projekt-dokumenteve strategjike kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë publik.
Programet e granteve dhe kreditimit të qeverisë dhe donatorëve mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ndërgjegjësimin dhe këshillimin për formalizim të grupeve të caktuara të sektorit privat p.sh., 2-3 vitet e para duke mbështetur aksionin e qeverisë. Sugjerohet që në bujqësi të ofrohet më shumë këshillim dhe ndërgjegjësim për fermerët. Të konsiderohet krijimi i një strukture të ndërmjetme, që të ofrojë asistencë dhe informacion për fermerin për regjistrim dhe përfitimet e formalizimit me ndihmën e donatorëve ose të qeverisë.


Përvoja e Maqedonisë në luftën ndaj informalitetit
Vendi fqinjë përmirësoi zbulimin nëpërmjet inspektimeve të punës, kontroll mbi pagimin e taksave dhe sigurimeve shoqërore. Krijoi “Qendrën për mbledhjen e borxheve”, dhe “Qendrën për sekuestrim të të mirave”. Krijoi Taks Akademi për Trajnimet dhe një njësi investigimi për Drejtorinë e Tatimeve për të trajtuar mashtrimet me riks të lartë dhe evazionin fiskal.


Forcoi bashkëpunimin administrativ dhe shkëmbimin e asistencës së përbashkët nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet tatimeve dhe Inspektoratit të Punës. Rriti penalitetet dhe perceptimin e riskut për punën në të zezë. Thjeshtoi rregullat për fillimin e një biznesi. Decentralizoi shërbimin e pagimit të taksave si p.sh., inkurajoi plotësimin elektronik të rimbursimit nga pagesa e taksave (tax returns), pagesat elektronike, tatimfitimin e korporatave dhe TVSH. Ofroi incentiva direkte taksash dhe reduktimin dhe barazimin e normës së taksës mbi korporatën dhe të të ardhurave personale (flat tax rate) në 10%. Norma e taksës në 1.5% të totalit të të ardhurave për biznese të vogla me një qarkullim deri në 3 milionë MKD, lehtësim taksash për përfitime të riinvestuara (për investime mbi 100 000 EUR) dhe zero tatim mbi të ardhurën nga korporatat për fitimet e pashpërndara.


Përvoja e botërore antievazion, tri mënyra, E para, rritje e pajtueshmërisë me taksat
-Reduktim të normave të taksave për rrogat e ulëta – Belgjika, Bulgaria, Holanda, Franca
-Përjashtim taksash dhe reduktim në sektorët që mbështeten në punë të padeklaruar në Hungari, Suedi, Belgjikë dhe Francë
-Reduktim TVSH në sektorët me punë intensive – Holanda
-Fushata ndërgjegjësuese të targetuara dhe në bashkëpunim me shoqatat e tregtisë për të trajtuar industritë me mundësi më të madhe për jo pajtueshmëri nga Australia, Belgjika dhe Suedia.
-Ofrim të skemave vullnetare për deklarime, fushata mediatike dhe interneti, “vouchers” për punën, etj., nga Britania e Madhe, Belgjika, Australia
-Për bizneset mikro dhe të vogla, një taksë e vetme ka zëvendësuar TVSH, taksë mbi të ardhurën dhe kontributin e sigurimeve shoqërore nga Argjentina, Bolivia, Brazili dhe Peruja
-Një sistem i integruar për firmat e vogla dhe të mëdha unifikon pagesën e mbledhjes së taksave federale dhe kontributeve sociale. Të gjitha firmat poshtë 1.000.000 USD që punojnë në shërbime, tregti dhe prodhim ose bujqësi janë të zgjidhshme dhe prezantojnë 75% të regjistrimit të biznesit dhe 7% të PBB në Brazil. Ky program zëvendëson 6 lloje taksash dhe 5 lloje kontributesh sociale, me një taksë progresive mbi të ardhurën bruto.
-Një aspekt tjetër është që zgjidh kontributin shoqëror nga numri i punonjësve të deklaruar ose paga, duke i bërë kontributet në proporcion me të ardhurën e firmës si rasti i Brazilit.
-Krijimi i Biznes Service Centers që ofrojnë një numër shërbimesh për sipërmarrësit, nga informacioni dhe këshillimi te facilitetet e regjistrimit si rasti i Kolumbisë.


E dyta, reduktimi i barrës së taksave për të formalizuarit
-Reduktim i taksës së fitimit mbi korporatën në Hungari, Poloni, Sllovaki.
-Përjashtim taksash për punësim të punëtorëve të paprivilegjuar në Hungari.
-Lehtësim taksash në industritë me përqindje të lartë të punëtorëve të padeklaruar në Suedi, Belgjikë, Francë.
-Lehtësim taksash për punonjësit e rinj – Mal i Zi
-Falje taksash – Qipro, Turqia
-Përjashtim taksash në fitimet e riinvestuara në Estoni.
-Reduktim të barrës agregate të taksave (si një % ndaj PBB) (shumica e 27 vendeve të BE-së)
-Rritje e pragut të të ardhurave të pataksueshme/futja e reduktimit të taksave për paga të ulëta – Bulgaria, Belgjika, Holanda, Franca.


E treta, rritja e bazës së taksimit
-Prezantimi i plotësimit online dhe pagesave online – Estonia
-Harmonizimi i rregullave/formave të taksave – Austria, Greqia, Holanda, Franca, Portugalia, Danimarka
-Thjeshtësimi i sistemit të taksave për SME-të – Kenia, Tanzania, Uruguai
-Zëvendësimi i TVSH/taksës mbi të ardhurën/kontributit të sigurimeve shoqërore të bizneseve të vogla me vetëm një taksë – Vendet e Amerikës Latine
-Vlerësim për Bizneset e Ndershme – 15 vendet e BE
-Rritje e fleksibilitetit në kontratat e përkohshme të punës.
-Pragje dhe përjashtim taksash, këshillim dhe trajnim dhe ofrim të benefiteve sociale për një periudhë të shkurtër kohore sa të fillojnë biznesin dhe shikojnë benefite nga punësimi. Shembulli i Italisë me periudha të përkohshme dhe tarifa të reduktuara.
-Reduktim të taksave dhe për punëtorët e paregjistruar nga këndvështrimi i konsumatorit për të punësuarit në familje si- Modeli i Danimarkës.
-Reforma e taksës së sheshtë në Sllovaki.
-Unifikimi i taksës direkte mbi të ardhurat në 19% për individët dhe bizneset. Reforma zvogëloi edhe normën e taksës së fitimit mbi korporatat në 19% dhe eliminoi normën e taksimit të dividentit në 15%. Rriti taksën indirekte të konsumit. Nga sistemi i vjetër me TVSH me dy nivele me norma 20% dhe 14% u unifikua në 19%. U bënë thjeshtime radikale të legjislacionit tatimor.


Masat antievazion në 31 vendet e BE-së
Masat Ndëshkuese
-Penalitete administrative për blerësit/kompanitë
-Penalitete administrative për ofruesit, punëdhënësit
-Penalitete penale për blerësit/kompanitë
-Penalitete penale për ofruesit/punëdhënësit. Masa për të përmirësuar zbulimin.
-Ndarja e të dhënave dhe përputhja e tyre
-Inspektim në vendin e punës
-Regjistrimi i punonjësve përpara fillimit të punës ose ditën e parë të punës.
-Koordinim i strategjisë ndërmjet qeverisë
-Certifikim i bizneseve, certifikim i pagesave të kontributeve sociale dhe taksave.
-Përdorimi i survejimit nëpërmjet denoncimeve
-Koordinim nëpërmjet institucioneve qeveritare
-Shkëmbim i të dhënave ndërmjet institucioneve qeveritare
-Karta e punës e detyrueshme në vendin e punës
Masat parandaluese
-Reduktimi rregullimeve
-Thjeshtim i procedurave të përputhshmërisë
-Novacionet teknologjike (si pajisjet për regjistrimin e cash)
-Kategori të reja të punës
-Incentiva direkte taksash (si p.sh., përjashtime, zbritje)
-Incentiva të sigurimeve shoqërore
-Tranzicioni i butë nga i papunë në të vetëpunësuarit
-Ndryshim i pagës minimum në rritje
-Ndryshim i pagës minimum në ulje
-Trajnim dhe mbështetje për bizneset në start-up
-Mikrofinancim për bizneset në start-ups
-Këshillim si të formalizohen
-Lidhje me skemën e pensioneve me punën formale
-Prezantimi i përgjegjësive të zinxhirit të ofruesve
-Kufizimi i lëvizjes së lirë të punëtorëve të huaj


Masat kuruese
-Nxitja e blerësve për të blerë të mira dhe shërbime të deklaruara
-Kuponët e shërbimeve
-Incentivë taksash direkte
–Incentivë taksash indirekte
-Nxitja e ofruesve për t’u formalizuar
-Amnisti të gjera sociale
-Amnisti në nivel individual për deklarim vullnetar
-Reduktim të targetuar të TVSH
-Software falas për bizneset për mbajtjen e të dhënave
– Këshillim/trajnim falas për mbajtjen e të dhënave
-Skema të formalizimit gradual. Të nxitet angazhimi për të deklaruar punën
-Fushata për të informuar punëtorët e padeklaruar mbi risqet dhe kostot e të punuarit të padeklaruar
-Fushata për të informuar punëtorët e padeklaruar mbi përfitimet e formalizimit
-Fushata për të informuar përdoruesit e punëve të padeklaruar mbi risqet dhe benefitet e formalizmit
-Përdorimi i thirrjeve normative ndaj njerëzve për të deklaruar aktivitete
-Masa për të ndryshuar drejtësinë e perceptuar të sistemit
-Masa për të përmirësuar procedurat gjyqësore të sistemit (shkalla në të cilën njerëzit besojnë se qeveria i trajton me respekt, paanshmëri dhe mënyrë të përgjegjshme)
– Masa për të përmirësuar njohuritë mbi taksat, kontributin shoqëror dhe ligjin e punës.
– Adoptimin e angazhimeve më tepër se përqasjen e pajtueshmërisë.
– Fushata për të inkurajuar një kulturë angazhimi për të deklaruar.


Më të lexuarat