Secondary Adv

122 milione euro per investime ne gjashte qytete

 

Mes projekteve eshte edhe rruga nga Porcelani në Surrel, ku po ngre vilën Rama, si dhe rruga e Gjirit të Lalëzit. Qeveria rishpërndan 169,5 milionë lekë (afro 122 milionë euro), një fond që është aneks i buxhetit 2014. Nga këto para që menaxhohen nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, i drejtuar nga vetë Kryeministri Rama, një pjesë do të shkojnë për rrugën e shtëpisë së Ramës në Surrel.

 

Nga një vendim i datës 23 shtator 2014, që rishikon tabelat e miratuara që në fund të vitit 2013, të detajuara më pas në gusht 2014, mësojmë se cilat projekte do të financohen. Dokumenti titullohet: Për një ndryshim në vendimin e Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve “Për shpërndarjen e fondit për infrastrukturën vendore, pjesë e fondit për zhvillimin e rajoneve”.  Sipas vendimit, 94 milionë lekë për këtë vit do t’u jepen qarqeve Lezhë, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Tiranë, Durrës, ndërsa për vitin 2015, për vazhdimin e këtyre projekteve janë të përcaktuara edhe 533,1 milionë lekë të tjera.

 

 

Projektet

 

1-Projekti i parë në Lezhë është rikonstruksioni “Ura e Pazarit-Varrezat publike”, Unaza e Madhe, ku do të investohen brenda këtij viti mbi 13 milionë lekë.

2-Projekti tjetër është rikonstruksioni i lulishtes në qendër të Lezhës, ku do të hidhen rreth 638 mijë lekë.

3-Kurse rehabilitimi i fasadave në bulevardin kryesor të Beratit do të marrë rreth 7 milionë lekë.

4-Në Gjirokastër, për rehabilitimin e rrugës “Rrapo Çela”, rrugës hyrëse të qytetit dhe rrugës “Rrashid Brahimi” do të investohen 7.5 milionë lekë.

5-Një projekt në Vlorë për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e fasadave, ndërhyrje në fshatin Kudhës, kushton 2.4 milionë lekë.

6-Ndërsa rikonstruksionit të rrugës Porcelan-Kinostudio-fshati Surrel (Dajt) i jepen 57.4 milionë lekë. Pra, më tepër se gjysma e fondit shkon për rrugën e shkatërruar që të çon në fshatin ku Kryeministri po ndërton një vilë.

7-Nga ky fond do të ndërtohet gjithshtu një rrugë në Gjirin e Lalëzit, ku kanë rezidencat Berisha, Meta dhe politikanë të tjerë. Janë 3.3 milionë lekë që do të hidhen për riparimin e rrugës së Gjirit të Lalëzit (asfaltim nga Maminasi në Shën Pjetër). Edhe kjo rrugë do të vazhdojë të ndërtohet në vitin 2015.

8-Ndërkaq, brenda këtij viti do të nisin dy projekte gjelbërimi që kushtojnë 33.5 milionë lekë: Lungomarja në Vlorë, gjelbërimi i parkut të Liqenit të Tiranës.

9-Ndërsa, do të investohen plot 42 milionë lekë në projektin “Krijimi i sistemit të të dhënave gjeohapësinore për mbështetjen e zhvillimit dhe menaxhimit rajonal, faza e parë”. Në vendim shpjegohet se 34.4 milionë lekë nga shuma që rishpërndahet, kishin mbetur pa u përdorur nga viti 2013 për arsye të mosprokurimit të projekteve.

 

Këto para shkojnë për projektet “Rivitalizim urban i dy shesheve në Tiranë:

1. Rehabilitimi i hapësirave urbane pranë Teatrit të Kukullave dhe lidhja me rrugën ‘Ibrahim Rrugova’;

2. Rehabilitimi dhe sistemimi urban në hapësirën midis Ministrisë së Punëve të Brendshme, MZHUT-së, MTI-së, Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të Komedisë”.


Më të lexuarat