Secondary Adv

Inventaret, ja kush duhet ti dorezoje; Afati perfundon me 10 janar

Afati për dorëzimin e inventarëve analitik për bizneset do të përfundojë ditën e sotme, datë 10 janar. Një pjesë e bizneseve kanë pasur paqartësi se cilat kategori duhet të dorëzojnë inventarët, kryesisht ato të vogla, pa TVSH.


Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, e pyetur nga “Monitor”, ka sqaruar se ligji nuk parashikon detyrim për dorëzimin e inventarëve për bizneset me xhiro nën 5 milionë lekë, por është vetë administrata tatimore e cila kur e gjykon, kërkon informacion nga biznesi. Sipas saj, kjo është një kërkesë e përvitshme, duke qenë se ka tatimpagues të cilët mund të kalojnë pragun e xhiros 5 milionë lekë. Dhe në këtë rast, Dega Rajonale e Tatimeve të Tiranës e ka kërkuar këtë informacion për të gjitha bizneset, qofshin ato edhe të vogla pa TVSH.


Për sa u përket bizneseve në rrethe, kërkimi i inventarëve për bizneset me xhiro nën 5 milionë lekë do të mbetet në gjykimin e administratës tatimore dhe vlerësimeve që do të bëhen nga ana e tyre, duke qenë se nuk ka një përcaktim detyrues në ligj.Në çdo rast, informacioni në lidhje me inventarin do të ngarkohet elektronikisht në e-filling.


Për të dorëzuar inventarët në mënyrë elektronike, një tatimpagues duhet të ndjekë hapat e mëposhtëm:
1.Bën Log-in në llogarinë e tij të deklarimit elektronik, në tatime.gov.al, e-shërbime
2.Në menynë e-filing Im, përzgjedh Çështjet e Mia, për të bërë të mundur krijimin e një çështjeje të re
3.Pamja Çështje të Padërguara, përzgjedh Krijo Çështje
4.Pasi klikon Krijo Çështje, përzgjedh llojin e çështjes – GeneralQuestion,Pyetje e Përgjithshme
5.Më pas shfaqet pamja e Krijimit të pyetjes së përgjithshme, në të cilën tatimpaguesi duhet të plotësojë fushën Pyetje: Inventari i datës 31.12.2016, dhe më pas duke klikuar Zgjidhni Skedar do të përzgjedhë skedarin e inventarit të ruajtur në kompjuterin e tij. Pas përzgjedhjes së skedarit, duke klikuar mbi Ngarko skedari ngarkohet në sistem dhe materiali është gati për t’u ruajtur ose dorëzuar.
6.Duke klikuar Dorëzo, tatimpaguesi dorëzon në mënyrë elektronike Inventarin e datës 31.12.2016, siç është kërkuar nga Administrata Tatimore.

 

Gjatë këtij viti, kontrolli i bizneseve me bazë inventarin do të bëhet me bazë risku. Tashmë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka analizuar bizneset që kanë informalitetin më të lartë dhe mbi këtë përzgjedhje do të bëhet edhe verifikimi i bizneseve në lidhje me inventarët.


Më të lexuarat