Secondary Adv

Amnistia, falen taksat e kamatat per 140 mije makina. Kategorite qe perfitojne

Rreth 140 mijë pronarë mjetesh do të përfitojnë falje të plotë ose të pjesshme të detyrimeve që kanë pa paguar për mjetet e tyre. Përfituesit janë ndarë në dy kategori.

 

E para është për pronarët e mjeteve, të cilët prej vitit 2000 deri në 2011 nuk kanë paguar asnjë taksë për mjetin dhe makinat e tyre duan t’i nxjerrin nga qarkullimi. Pronarët e këtyre makinave do të përfitojnë falje të të gjitha detyrimeve dmth., të taksave, gjobave dhe kamatave, por duhet që brenda gjashtë muajve nga hyrja e fuqi i faljes t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor për çregjistrim dhe nxjerrjen nga qarkullimi të mjetit. Ndërsa pronarët e makinave që për të njëjtën periudhë, 2000 dhe deri në dhjetor të vitit 2011 nuk kanë paguar taksat dhe duan të mbajnë në qarkullim mjetin, duhet të paguajnë vetëm taksat për të gjithë periudhën dhe përfitojnë falje të kamatave. Skema është bërë e ditur nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat bëjnë të ditur që janë një pjesë e konsiderueshme mjetesh që nuk kanë përfituar nga amnistia e vitit 2009, pasi pronarët e tyre nuk kanë aplikuar. Sipas të njëjtave burime, makinat që kanë detyrime për taksat dhe gjoba pas janarit 2012 do të përfitojnë falje të gjobave vetëm në rast se kryhet pagesa e detyrimeve tatimore.


Çregjistrimi
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bëjnë të ditur se do të çregjistrohen të gjitha mjetet që nuk kanë kryer asnjë veprim pas periudhës 31 dhjetor 2011. Çregjistrimi i mjeteve bëhet pa paguar detyrimet e prapambetura si, taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura, taksën e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se pronarëve të makinave që paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij, u falen detyrimet tatimore për periudhat përpara dhjetorit 2011, por duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve që u përkasin periudhave pas janarit 2012 dhe u falen gjobat për këtë periudhë.


Drafti
Drafti për faljen e detyrimeve të prapambetura për automjetet është hartuar nga Ministria e Financave dhe pritet të miratohet në qeveri. Pas miratimit, pronarët e mjeteve do të kenë gjashtë muaj kohë për të përfituar nga drafti. Edhe më herët, në qershor të viti të shkuar, Financat hartuan një draft të ngjashëm, por nuk mori miratimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe për rrjedhojë nuk kaloi as në qeveri.


Më të lexuarat