Secondary Adv

Tregu informal i punes, mungese kontratash dhe deklarime pagash te uleta

Sipas Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, rreth 37 për qind e të punësuarve në Shqipëri punojnë pa kontrata, ose raportohen me paga më të ulëta. Ky fenomen ka një përhapje rajonale.


Një sondazh i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) ka nxjerrë në pah një situatë alarmante për sa i përket punësimit informal në Shqipëri. Sipas të dhënave të sondazhit, rezulton se 37% e punonjësve i deklarojnë pjesërisht, ose nuk i deklarojnë fare të ardhurat e tyre nga punësimi. Ndërsa rreth 20% e punonjësve kanë deklaruar se kanë kontratë pune, por paga e tyre reale është më e lartë se ajo që deklarohet zyrtarisht; më alarmant është fakti që 17% e punonjësve punojnë pa kontratë në punën e tyre primare dhe nuk iu paguhen kontribute të sigurimeve shoqërore. Pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë kontratë janë me arsim të ulët. “Sa më i ulët niveli i edukimit, aq më pak ka të ngjarë që një punonjës të mbrohet me një kontratë punësimi”, thuhet në vrojtim. Vetëm 21% e punonjësve me arsim të ulët kanë kontrata, përkundrejt 89% me arsim të lartë.


Dypunësimi
Niveli i informalitetit është edhe më i lartë tek ata që janë të dypunësuar. 56% e punonjësve me një punësim dytësor ose shtesë, përfshirë edhe vetëpunësimin punojnë pa një kontratë pune. Të dhënat janë rezultat i vrojtimit të popullsisë, të përfaqësuar gjeografikisht dhe demografikisht, të kryer në maj të vitit 2016 në Shqipëri. Sipas IDM, pyetësorët, me intervista ballë për ballë të realizuara në çdo shtëpi, janë një nga metodat e drejtpërdrejta për të vlerësuar aktivitetet e fshehura ekonomike dhe ofrojnë informacion të ndryshëm dhe kualitativ në krahasim me qasjet indirekte të përdorura në mënyrë tradicionale, të cilat zakonisht paraqesin ekonominë e fshehur në % të PBB. Sipas studimit, fokusi kryesor për të luftuar punën e padeklaruar, ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve të Europës Lindore, është në kufizimin e shkeljeve të Ligjit të Punës. Politikat, që kanë dominuar në këto shtete, kanë qenë masat me qëllim përmirësimin e zbulimit të këtyre shkeljeve, si dhe zbatimi i ndërhyrjeve të rrepta.


Informaliteti
Përmbajtja e Kodit të Punës, niveli i papunësisë, dhe sistemi kombëtar i taksimit, përfaqësojnë thelbin e një rrjeti faktorësh kompleksë, që përcaktojnë hapësirën dhe strukturën e punës së padeklaruar. Të luftosh ekonominë e fshehur sidoqoftë është një thikë me dy tehe. Në njërën anë, nëse qeveria dhe institucionet e saj rregullative, kanë kontroll të dobët, duke e toleruar ekonominë informale, kjo çon në humbje të rëndësishme të të ardhurave potenciale dhe përmirësimit cilësor dhe sasior të shërbimeve dhe të mirave publike. Në anën tjetër, nëse qeveria ngutet për të përdorur nisma negative (masa ndëshkimore, zbatim më të mirë të ligjit), që përdoren për të shtrënguar fuqishëm ekonominë e fshehur, kjo mund të krijojë efekte reale problematike anësore: reduktim të të ardhurave të disponueshme dhe rritje të kostove të punës, që do të përktheheshin në rënie konsumi, rënie eksporti dhe rënie të PBB-së. Çfarë mund të vijë më vonë është një rënie në punësimin formal, në raport me punësimin e fshehur, pasi kompanitë luftojnë për rritjen e efikasitetit të çmimeve dhe produktivitetit. Kështu, monitorimi dhe menaxhimi i ekonomisë së fshehur është një akt i brishtë balancimi midis nevojës për zbatimin e masave të tanishme dhe të ardhshme dhe plotësimin e nevojave aktuale të ekonomisë në përgjithësi, në mënyrë që shoqëritë të lulëzojnë dhe të krijojnë perspektiva afatgjata.


Krahasimi
Shkalla e madhe e papunësisë, 24% në Maqedoni, 15.9% në Shqipëri dhe 32.9% në Kosovë, sipas të dhënave të tremujorit të dytë 2016, është një nga treguesit më të rëndësishëm që ndikon në rritjen e aktiviteteve dhe praktikave të ekonomisë së fshehur. Pagat e fshehura mbeten shqetësimi më akut, me të ardhurat e punësimit që janë pjesërisht ose plotësisht të padeklaruara për gati gjysmën (44%) e të punësuarve në Maqedoni (një rritje prej 40% në vitin 2014), 36% në Shqipëri dhe 37% e të punësuarve në Kosovë. Në mënyrë të konsiderueshme, 9% e të gjithë punonjësve të Maqedonisë me punë primare punojnë pa kontratë (në rritje nga 7% në vitin 2014), dhe nuk iu paguhet ndonjë kontribut i sigurimeve shoqërore. Përqindja e këtyre të punësuarve në Shqipëri dhe Kosovë është dy herë më e lartë dhe përfaqëson përkatësisht 17% dhe 21% të të gjithë punonjësve. Për ata që kanë një punë të dytë, të dhënat janë edhe më të zymta. 40% e punonjësve me punë të dytë në Shqipëri dhe mbi 80% në Maqedoni dhe Kosovë punojnë pa kontrata dhe nuk iu paguhen kontributet shoqërore, apo ato të kujdesit shëndetësor.


Rekomandimet: Si mund të luftohet informaliteti i punës në Shqipëri
Vit për vit përsëritje të angazhimit ndaj informalitetit dhe në fund të shumë viteve ai nuk ka luajtur nga vendi. Vijon ende të jetë me një peshë që i merr frymën tregut formal. Edhe pse janë konsumuar me mijëra orë pune dhe janë arritur edhe suksese në detyra të ndryshme, lufta ende është një qark i pambyllur dhe më shumë duket si një angazhim për ta bërë se kërkohet dhe jo si një pjesë e domosdoshme e detyrave të përditshme.


Situata
Në bazë të anketave të bëra nga ILO specifikisht për Shqipërinë ka treguar se punësimi informal është më së shumti në aktivitete të shitjes së tregtisë me pakicë (41%), ndërtimit (19%) dhe shërbimit (19%). Individët privatë dhe të njohurit e tyre, anëtarët e familjes, miqtë etj., janë burimi kryesor i punësimit informal. Barra fiskale për punëdhënësit dhe punëtorët mbetet një nga arsyet kryesore për nivelin veçanërisht të lartë të informalitetit në mesin e personave të vetëpunësuar, rezultuar nga anketimet e kryera për studimin e informalitetit në tregun e punës. Një barrë fiskale shumë e lartë në formën e taksave mbi pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore tashmë është një postulat i njohur, i cili mund të ketë pasoja serioze në konkurrencën e një biznesi. Kjo është arsyeja pse shumë punëdhënës preferojnë të paguajnë një sasi të caktuar të pagave me zarf ose të veprojnë tërësisht në informalitet.


Taksat
Një numër i politikave drejt reduktimit të punësimit informal tashmë janë futur në shënjestër në Shqipëri. Ndër kryesoret prej tyre renditen: Në sektorin privat, një sistem pagash referuese është i pranishëm si opozitë e pagave që anashkalojnë sistemin bankar dhe iu jepen punonjësve me zarf. Pagesat e pagave, të kërkuara nga organi tatimor duhet të kanalizohen gjithnjë nëpërmjet sistemit bankar për të kufizuar pagesat informale të holla. Taksa e biznesit të vogël është ulur, apo për një numër shumë të madh është hequr fare, në mënyrë që bizneset e vogla të bëhen më konkurruese dhe të kenë një barrë më të vogël. Kontributet e sigurimeve shoqërore janë në nivele të moderuara duke pësuar ulje të pagesës në dekadën e fundit. Pjesa kontributive e punëdhënësit bashkë me atë të të punëmarrësit është ulur nga 41.9% në 32.9% dhe më tej në 27.9% për ta bërë pagesën më tërheqëse, veçanërisht për punëdhënësit. Të ardhurat personale janë tashmë për më shumë se 65% të tyre (pagat) në taksim progresiv dhe tatimi mbi fitimin është rritur në një normë që arrin te 15% e fitimit bruto.


Rekomandimet
Një mënyrë për të inkurajuar konsumatorët dhe bizneset të përdorin punën e deklaruar është reduktimi i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për mallra dhe shërbime të caktuara, ku puna e padeklaruar është më e përhapur, p.sh. në Finlandë dhe Itali u bë një ulje e TVSH-­së në fushën e ndërtimit të rinovimit dhe mirëmbajtjes. Një sektor që ka nevojë në mënyrë specifike është bujqësia, e cila paraqet nivelin më të lartë të punësimit informal në Shqipëri.Karakteristika mbizotëruese e bujqësisë tradicionale është shkalla e vogël e ndërmarrjeve, për të cilat sfida është të rritin produktivitetin dhe të reduktojnë vulnerabilitetin. Një praktikë interesante është futur në Itali përmes Shërbimit voucher në sektorin e bujqësisë, e cila lejon rregullimin e studentëve dhe pensionistëve, të cilët furnizojnë shërbimet e tyre mbi baza rastësore gjatë sezonit të vjeljes së rrushit. Suksesi i këtyre skemave sjell zgjerimin e kësaj qasjeje në sektorë të tjerë dhe aktivitete, të tilla sezonale nga të rinjtë dhe shpërndarjes së mallrave dhe shërbimeve derë më derë. Punët publike duhet të përdoren për të zhvilluar aftësitë e veçanta të kërkuara në tregun formal të punës. Analizat e kryera kanë treguar më tej se një pjesë e madhe e punëtorëve të punësuar në mënyrë informale marrin ende përfitimet e papunësisë. Për këtë arsye, politikat pasive të tregut të punës duhet të shoqërohen me masa më aktive, pasi masat pasive nuk janë në përgjithësi mjeti efektiv në reduktimin e punësimit informal.


Më të lexuarat