Secondary Adv

Skema e re per makinat, si te paguani me pak siguracion. Ja tarifat

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i ka dërguar qeverisë ndryshimet në ligjin për sigurimin e detyrueshëm, ku përfshin edhe zbatimin e sistemit të ri bonus-malus të sigurimit të makinave.

 

Ndërsa pritet që ndryshimet e ligjit të miratohen nga qeveria, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka gati infrastrukturën për zbatimin e sistemit të ri të sigurimit të makinave që do të ndikojë në tarifa.Në takimin informues mbi funksionimin dhe rolin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me fokus tregun e sigurimeve, drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes Financiare, Artur Ribaj, informoi dje se amendimet e ligjit i janë përcjellë Ministrisë së Financave.

 

Ribaj tha se zbatimi në tërësi i ligjit, duke përfshirë edhe sistemin bonus-malus të sigurimit, do të disiplinonte tregun, por edhe do të vendoste standarde të reja në favor të qytetarëve.“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë të gjitha amendimet e nevojshme në ligj, të cilat i ka paraqitur në Ministrinë e Financave prej disa muajsh dhe është në pritje të miratimit. Sa më shpejt që ato të miratohen nga qeveria dhe Parlamenti, aq më mirë është për tregun. Pas miratimit të ligjit, është gati për të filluar nga funksionimi”, u shpreh Ribaj.


Me hyrjen në fuqi të ligjit, të gjithë drejtuesit e makinave do të klasifikohen në një klasë të barabartë, apo e thënë ndryshe, do të zerohen të gjitha aksidentet apo dëmet e shkaktuara para hyrjes në fuqi të ligjit. Më pas, sistemi do të trajtojë ecurinë e drejtuesve, ku në rast se kryen aksident, do të rritet klasa, çka automatikisht sjell rritje të çmimit të siguracionit. Në rast se gjatë një viti drejtuesi i automjetet nuk ka shkaktuar dëme apo aksidente, klasa ku do të pozicionohet do të ulet, e shoqëruar dhe me ulje çmimi.


“Në tërësinë e sistemit bonus-malus ka dy elemente, janë ata që përfitojnë në bonus dhe ata që goditen në malus. Në rast se do të marrim një çmim prej 15 mijë lekësh, nga bonusi do t’u zbriten deri në 14 mijë lekë, në 13 mijë apo në 12 mijë lekë. Por ka edhe nga ata që malusi nga 15 mijë lekë do t’ua çojnë 16 mijë lekë apo 17 mijë lekë. Ne si Autoritet i Mbikëqyrjes Financiare jemi gati të zbatojmë sistemin, por duhet marrë në konsideratë i gjithë tregu, jo vetëm pjesa pozitive që do të ulet primi, por edhe rritja e primit për ata që nuk janë korrektë”, shpjegoi drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes Financiare.


Për sa i përket çmimit të sigurimit të makinave, tarifat janë rikthyer në nivelet e muajit gusht, ku shënuan një rritje prej 20 për qind. Aktualisht, çmimi i sigurimit të makinave është 18,500 lekë, ndërkohë që pak më herët çmimet shënuan një ulje prej gati 48 për qind, duke arritur në nivelin e 10 mijë lekëve. Nisur nga kjo situatë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e sheh si të domosdoshëm për tregun miratimin e ligjit dhe zbatimin e sistemit të ri.


Më të lexuarat