Secondary Adv

ERE: Gjate vitit 2016 hyne ne funksionim 38 HEC-e

Edhe pse në një mjedis të vështirë biznesi për shkak të ndryshimeve të kontratës në mënyrë të njëanshme nga qeveria biznesi i HEC-ve të vogla ka lulëzuar më 2016.


Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë mësohet se 38 objekte të vogla e të mesme të prodhimit të energjisë elektrike nga uji nisën prodhimin gjatë vitit të kaluar. Kështu numri i HEC-ve private arriti në 138 nga 100 të tilla që ishin më 2015.Ekspertët e sektorit bëjnë me dije se shumë kompani që më parë ishin të fokusuara në ndërtim dhe tregti po diversifikohen në HEC-e. Tregu i energjisë së rinovueshme është i garantuar dhe kostot e prodhimit pas përfundimit të investimit janë të lira.


Bashkë me shtimin e numrit të HEC-ve të vogla është rritur edhe prodhimi i energjisë nga këto objekte. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendas shënoi vitin e kaluar 7.2 miliardë kilovatorë, nga të cilat 5.1 miliardë kilovatorë u prodhuan nga HEC-e në pronësi të KESH-it dhe 2.1 miliardë kilovatorë të tjera u prodhuan nga HEC private dhe ato me koncesion.


Nga kjo sasi, HEC-i i ri i Banjës në lumin Devoll, që u vu në punë për herë të parë më 2016-ën, prodhoi 69.848.000 kilovatorë. Pavarësisht kostove që kanë dhënë në ambient dhe ndikimin ne habitatet e zonave ku janë, HEC-et private e kanë rritur dukshëm prodhimin e energjisë në vend, duke u bërë kështu pritë për daljen e parave jashtë vendit për blerjen e energjisë.


Por, pavarësisht kontestimeve për ndikimin në ambient, Ministria e Energjetikës ka vërshuar me dhënien e lejeve për ndërtimin e HEC-ve të vogla. Qeveria Rama e ka liberalizuar edhe me tej këtë proces. Për çdo HEC me kapacitet deri në 2.000 vat vendos ministri i Industrisë dhe Energjetikes, ndërkohë që më pare për një vendim të tillë duhej miratimi i Këshillit të Ministrave.Nisur nga kjo lehtësi, Ministria e Energjitikës vijoi dhënien e lejeve me intensitet të lartë gjatë 2016-ës dhe po vijon me të njëjtin ritëm edhe këtë vit.


Më të lexuarat