Secondary Adv
ACP
Njoftohuni me të rejat më të fundit rreth projekteve, kompanive dhe lajmeve në Shqipëri!

Rriten pagat per policet, gardianet dhe RENEA-n

Punonjësit mbështetës, që punojnë në Agjencinë e Inteligjencës dhe të Sigurisë së Mbrojtjes, të cilët trajtohen në pagë sipas lidhjeve përkatëse të këtij vendimi, përfitojnë një shtesë për kushte pune dhe shërbimi, në masën 5 000 lekë në muaj.


Rojet mjedisore të administratave të zonave të mbrojtura, për natyrë të veçantë pune, përfitojnë një shtesë mbi pagë, në masën 4 000 lekë në muaj. Rreth 15 000 lekë në muaj, për punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë me baza të të dhënave shtetërore (si punonjësit analogë civilë pa status policor), në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në nivel qendror. 7 500 lekë në muaj, për punonjësit e Policisë së Shtetit që nuk punojnë me baza të të dhënave shtetërore (si punonjësit analogë civilë pa status policor), në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në nivel qendror. Dhe, 5 000 lekë në muaj, për nëpunësit e strukturave të TIK-ut, të strukturave vendore të Policisë së Shtetit. Këto janë shtesat e miratuara dje nga Këshilli i Ministrave për punonjësit mbështetës të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. Këshilli i Ministrave ka miratuar shtesën mbi pagën edhe për punonjësit e Kryeministrisë, Kuvendit dhe Presidencës.


Policia
Qeveria ka miratuar strukturën e niveleve të pagave për gradë dhe të shtesave mbi pagë për punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas strukturave në të cilat ushtrojnë funksionet policore, trajtimin financiar të kursantëve, të punonjësve të policisë që kryejnë kurse shkollimi/trajnimi, si dhe trajtimin financiar të bashkëpunëtorëve të institucioneve arsimore të sistemit policor. Sipas vendimit, punonjësit e Policisë së Shtetit, për çdo vit vjetërsie shërbimi, përfitojnë shtesë mbi pagë, në masën 1 për qind për çdo vit, deri në 25 vjet. Llogaritja e shtesës për vjetërsi bëhet mbi pagën e gradës “Inspektor”. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite shërbimi do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës së çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit. Sipas vendimit, vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në shërbim, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.

Me te lexuarat