Secondary Adv

Ne Shqiperi, 5142 familje shpenzime katastrofale ne shendetesi

Shqiptarët kanë pagesat nga xhepi më të larta në Europë për shërbimet e shëndetit, por për 5142 familje këto shpenzime janë katastrofale.“Catastrophic Health Expenditures” është një indeks global si një tregues i shmangies së rënies së popullatës në varfëri për shkak të shpenzimeve shëndetësore.


Shpenzimet për shëndetësinë konsiderohen katastrofike nëse arrijnë në të paktën 40% të shpenzimeve të familjes, që mbeten pas zbritjes së shpenzimeve për ushqim.Sipas INSTAT-it, aktualisht në këtë gjendje janë 5142 familje. Shifrat bëhen të ditur në Strategjinë e Shëndetësisë 2017-2020 që është në proces konsultimi.Duke marrë në konsiderate këtë situatë qeveria ka vënë si prioritet rritjen e financimit  buxhetor për shëndetësinë. Aktualisht shpenzimet publike për shëndetësinë kanë arritur në 2.8% të PBB-së. Ministria e Shëndetësisë sqaron se vitet e fundit janë arritur rezultate të dukshme në përmirësimin e raportit midis shpenzimeve publike dhe private në shërbimet shëndetësore.

Në vitin 2015 ky raport është 55% shpenzime publike  dhe 45% private. Por një pjese konsiderueshme e këtyre shpenzimeve në fakt janë pagesa ndaj koncesionarëve privat, deri tani katër të tilla që marrin financime nga buxheti i shtetit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.Në strategjinë për shëndetësinë qeveria është e angazhuar të rrisë financimin në shëndetësi, duke rritur financimet publike deri në masën 4% të PBB në 2025, si dhe uljen e pagesave nga xhepi deri në 30%.“Ulja e shpenzimeve nga xhepi është e lidhur ngushtë me përpjekjet e Qeverisë për të penguar rënien  e familjeve në varfëri për shkak të kostos së papërballueshme të shpenzimeve për shëndetin. Ministria e Shëndetësisë po zbaton për herë të parë referimin ndaj Shpenzimeve Shëndetësore Katastrofike (Catastrophic Health Expenditures), si një tregues i shmangies së rënies së popullatës në varfëri për shkak të shpenzimeve shëndetësore” thuhet në të njëjtin dokument.


Më të lexuarat