Secondary Adv

INSTAT: Eksportet rriten me 16 per qind per 3-mujorin

Eksportet kanë vijuar tendencën e tyre pozitive edhe gjatë muajit mars, duke u zgjeruar me 15.7% për tremujorin e parë të 2017-s, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.


Ecuria është shumë më pozitive se vitin e kaluar, kur shitjet jashtë vendit ishin negative. Në fakt, arsyeja kryesore e rënies së tyre vitin e kaluar, tashmë është bërë faktori kryesor që po çon në lulëzimin e eksporteve. Bëhet fjalë për grupin “minerale, lëndë djegëse e energji”, që vitin e kaluar vuajti si rrjedhojë e koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare.


Megjithatë, pas rritjes së fortë të dy muajve të parë, grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji” është ngadalësuar. Për tremujorin, zgjerimi ishte 38% (në 11 miliardë lekë), nga 73% për dymujorin. Në mars madje ky grup ra me 4$, teksa Bankers Petroleum, prodhuesi i naftës dhe eksportuesi më i madh në vend, një pjesë të konsiderueshme të prodhimit po e shet në tregun vendas, te kompania IRTC, që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë e ARMO-s.


Një rritje të fortë të eksporteve ka shënuar dhe grupi “materiale, ndërtimi dhe metale”, shitjet e të cilit janë dyfishuar në mars dhe janë zgjeruar 48% për tremujorin, për të arritur në 9.7 miliardë lekë. Edhe ky grup, vitin e kaluar kishte shënuar rënie, si rrjedhojë e falimentimit për arsye ristrukturimi të Kurum. Rivënia në punë e Kurum, tashmë në emrin e Albmetal, ka rigjallëruar eksportet e këtij grupi, por ecuri të mirë po raportojnë dhe prodhuesit e çimentos, kryesisht drejt Maqedonisë.


Ndryshe nga viti i kaluar, kur tekstilet dhe këpucët amortizuan rënien e lëndëve djegëse e mineraleve, këtë vit, kjo industri nuk e ka nisur mbarë. Eksportet e tekstileve e këpucëve u rritën minimalisht me 7.5% në 28 miliardë lekë, por gjithsesi ato vijuan të jenë grupi më i madh i eksportuar. Vitin e kaluar, ky grup shënoi rritje dyshifrore.Eksportet e ushqimeve, janë rritur minimalisht me 2.9% për tremujorin, duke iu rikthyer zgjerimit pozitiv në mars, pas goditjes nga ngricat në dy muajt e parë të vitit.


Pas një rënieje dy vitet e fundit, “makineritë dhe pajisjet” janë rritur me gati 13%.
Në total, struktura e eksporteve shqiptare vijon të jetë e varur nga krahu i lirë i punës (fasoni) dhe shitja e burimeve natyrore, duke qenë tepër e varur si nga luhatjet e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare, ashtu dhe nga Italia, që është destinacioni kryesor ku shkojnë produktet e tekstileve e këpucëve.


Më të lexuarat