Secondary Adv

Veliaj prezanton Open Data: E dua Tiranen te paren per transparencen

Bashkia e Tiranës ndërmerr një tjetër hap drejt përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritjes së transparencës.Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj prezantoi sot projektin "Open Data", një portal i transparencës për Bashkinë e Tiranës, ku të gjithë qytetarët do të mund të gjejnë të dhëna të ndryshme për punët dhe investimet që kryhen në qytet.


“Besoj se asnjë shoqëri nuk është rrëzuar nga tepria e informacionit. Sot jemi në një situatë që nuk besoj se do i vi dëm bashkisë”, tha Veliaj.
Tirana bëhet qyteti i parë në Shqipëri që ofron një portal për transparencën, ndërsa kryebashkiaku shprehet se dëshiron që kryeqyteti të jetë model për pasqyrimin e informacionit. “Vetëm njerëzit kur kanë informacion të bollshëm mund të marrin vendime si për qytetin ashtu edhe për familjen, unë jam njëri me ambicie ndaj e dua Tiranën të parën për transparencën “, tha Veliaj.


Të dhënat mund t'i gjeni në opendata.tirana.al
Portali i të dhënave të hapura do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë nëpërmjet një klikimi në opendata.tirana.al.Veliaj theksoi se informacioni nuk duhet të konsiderohet si një monopol, por si një mjet për të qenë i aksesueshëm dhe i dobishëm.“Unë nuk besoj se do vijë ndonjë dëm, bashkisë, patjetër që do i shtohet vështrimi mikroskopi mbi punët e bashkisë, por më shumë se kaq do shtohet bashkëpunimi qytetar apo i aktorëve dhe i aktivistëve të tjerë mbi idetë brilante që mund të lindin vetëm nga statistikat që ne kemi”,tha Veliaj Kreu i Bashkisë deklaroi se rritja e transparancës do të ndikojë drejtpërdrejt dhe në uljen e kostove. “Jo vetëm nuk do të shtojë kostot, por transparenca do të ulë kostot sepse do të na bëjë së pari më të ndjeshëm ndaj publikut që ka gjithë këtë informacion. Dhe së dyti besoj se dhe planifikuesit tanë do t’i bëjë shumë herë më alertë të mënyrës se si ne i shpenzojmë paratë tona dhe të nikoqirkllëkut që duhet të kemi në gen të mënyrës se si ne konceptojmë gjithë punët publike”, tha ai.


Për këtë Veliaj dha edhe një shembull konkret nga situata që gjeti kur mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës.“Besoj e mbani mend se kur morëm detyrën gjetëm në Tiranë 33 lloje pllakash në përdorim. Askush nuk kishte marrë mundimin të bënte një analizë të kostove që kjo krijonte, të rrëmujës që shkaktonte, të tenderave që duheshin bërë. Ndërkohë që sot kemi një pasqyrë të qartë deri tek niveli i një pllake teke që duhet shtruar në një X rrugicë. Çka na lejon që jo vetëm të ndërhymë më shpejt, por edhe me më pak kosto. Çka do të thotë që burimet e kufizuara që kemi mund të përdoren me më shumë nikoqirllëk”, u shpreh ai.


Kryebashkiaku Veliaj garantoi se Open Data do të ketë publike të gjitha të dhënat duke qenë e hapur me publikun.
“Shumë prej kritikëve të mi thonë na çmende me kaq informacion që na jep përditë, imagjino me kaq informacione tani. Nëse ka një akuzë që unë e pranoj me kënaqësi është kjo që më mirë të akuzohem se japim më shumë informacion se dikush ka oreks se sa të ndodhi tipikisht ajo që ka ndodhur në vende  si Shqipëria, ku qeveritë kanë dhënë shumë pak informacione, çdo gjë është mbajtur e fshehtë, asnjëherë publiku nuk ka pasur dijeni se si shpenzoheshin paratë publike. Statistikat e bashkisë do të analizohen dhe do të kemi këshilla konkrete për gjërat që duhen përmirësuar”,shtoi kryebashkiaku.


Më të lexuarat