Secondary Adv

Unaza e Jugut, perfundon linja 56 km Erseke-Permet


Projekti Unaza e Jugut po bëhet realitet. Ka përfunduar punimet dhe është vënë në funksion të plotë linja 110 kV Ersekë-Përmet, me një gjatësi prej 55.7 km. Segmenti është pjesë e lotit të dytë të projektit të financuar nga qeveria gjermane, për zhvillimin e rrjetit 110 kV të Jugut të Shqipërisë.


Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, thotë se kjo linjë i shërben përmirësimit të furnizimit me energji për të gjithë zonën e Jugut. “Me mbështetjen e donatorëve do kryhen shumë investime. Këto investime sjellin siguri në furnizim, qëndrueshmëri. Ne synojmë ka kthejmë sektorin energjitik në fitimprurës”, deklaroi Gjiknuri.

 


Unaza e Jugut


Ky nuk është projekti i vetëm. Mbështet edhe shumë zona që kanë zhvillim turistik dhe që në përspektivë do të kenë investime në turizëm. Do të pasohet me një investim tjetër shumë të rëndësishëm në nënstacionet e Orikumit dhe Himarës, gjë që do të përfundojë infrastrukturën energjitike për gjithë zonën e bregut”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.


“Kjo linjë do të japë një impakt të rëndësishëm në reduktimin e humbjeve. Deri në zonën e Përmetit, ne vijmë me një linjë shumë të gjatë 110 kV dhe të amortizuar, si nga pjesa e Memaliajt, ashtu edhe nga pjesa e Gjirokastrës. Do të thotë se ka një impakt shumë të rëndësishëm edhe në rritjen e rezervës së furnizimit”, tha Engjëll Zeqo, administrator i OST.


Segmente të tjera, pjesë të projektit të njohur si “Unaza e Jugut”, janë ato Babicë-Sarandë, Zemblak-Korçë dhe rehabilitimi i linjave Korçë-Ersekë, Memaliaj-Këlcyrë-Përmet, përfshirë punimet në nënstacionet respektive. Ndërsa loti i parë i projektit parashikon fuqizimin e nënstacionit të Zemblakut, me vlerë 4.5 milionë euro.


Financimi


Projekti financohet nga një kredi e Qeverisë Gjermane nëpërmjet bankës KfW. Linja e ndërtuar Ersekë-Përmet është pjesë e projektit të zhvillimit të rrjetit 110 kV të Jugut të Shqipërisë. Segmenti Ersekë-Përmet i cili tanimë ka përfunduar në kohë rekord dhe vendosur në funksion ka një gjatësi prej 55.7 kilometër.
Linja bën pjesë në LOT-in e dytë të projektit që njihet si Unaza e Jugut që përfshin gjithashtu ndërtimin e segmenteve Babicë-Sarandë, Zemblak-Korçë dhe rehabilitim të linjave Korçë-Ersekë, Memaliaj-Këlcyrë-Permet dhe punime në nënstacionet respektive. LOT-i i parë i këtij projekti parashikon fuqizimin e nënstacionit 400/110 kV Zemblak me vlerë 4.5 milionë euro.


Më të lexuarat