Secondary Adv

Pronaret, hapen aplikimet per fondin 4 milion dollare

Janë rreth 780 pronarë, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje, të cilët kanë mundësi të kompensohen. Gazeta boton sot listën e plotë të përfituesve të shpërndarë në 8 qarqe të vendit, përkatësisht në Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Durrës dhe Kukës.

 

Në njoftimin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave thuhet se pranimi i kërkesave do të nisë duke filluar nga data 2 maj dhe nuk do të jetë i kufizuar në afat.Ndërsa fondi i vënë në dispozicion nga ALUIZNI për kompensimin e tyre kap vlerën e 489 milionë lekëve, ose thënë ndryshe rreth 4 milionë dollarë. “Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e kësteve për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, emrat e të cilëve janë miratuar me vendimin Nr.230, datë 21.03.2017, “Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale”.


Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë më datë 02.05.2017 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar apo limituar në afat”, thuhet në njoftim. Qytetarët që kanë emrin në listë duhet të paraqesin në agjenci numër llogarie, kopje të kartës së identitetit, prokurë të posaçme, mandatin e pagesës prej 2 mijë lekësh, certifikatë familjare dhe dëshminë e trashëgimisë.


Vlen të theksohet se ata të cilët kanë aplikuar më parë dhe nuk kanë përfituar për shkak të mungesës së një apo më shumë dokumenteve, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto familje nuk do të kenë detyrimin për të paguar tarifën e shërbimit prej 2 mijë lekësh, nëse vërtetojnë që e kanë kryer më parë.Bashkangjitur kësaj liste janë edhe emrat e rreth 50 pronarëve, që pas shqyrtimit të dosjes, u kanë kaluar paratë në bankë. Mbi bazën e ndryshimeve të hartuara së fundmi, në këtë fazë të parë ata marrin 70% të vlerës së kompensimit për tokën që u është zënë nga ndërtimet pa leje.


Më të lexuarat