Secondary Adv

Ulje e ndjeshme e borxhit publik, 68.42 per qind e PBB ne mars

Në tremujorin e parë të vitit në vazhdim është shënuar një ulje e konsiderueshme e raportit të borxhit publik me Prodhimin e Brendshëm Bruto.


Sipas statistikave më të fundit zyrtare të ministrisë së Financave, më 31 mars 2017 shifra e borxhit ishte sa 68.42 për qind e PBB-së, nga 71.01% që shënoi në fund të vitit të kaluar.Në fakt, stoku i detyrimeve është rritur nominalisht. Shuma e përgjithshme e huave të marra në vite brenda e jashtë vendit, që duhet të shlyhen një ditë, është 1 trilion e 92 miliard e 274 milionë lekë, ose afro 8.1 miliardë euro.


Tre muaj më parë, stoku i borxhit publik llogaritej në 1 trilion e 66 miliardë e 566 milionë lekë, afërsisht sa 7.9 miliardë euro, sipas kursit zyrtar të këmbimeve të Bankës së Shqipërisë.Ritmi i rritjes së borxheve ka qenë relativisht i shpejtë gjatë periudhës janar-mars 2017, me afro 2.1 milionë euro mesatarisht në ditë. Por rënia e shifrës në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ka ardhur si pasojë se prognoza për PBB-në gjatë këtij viti është për një nivel të konsiderueshëm rritjeje të ekonomisë.


Kështu, Financat e parashikojnë shifrën e PBB-së në nivelin 1 trilion e 596 miliardë lekë, nga 1 trilion e 501 miliardë, që ishte në fund të vitit të kaluar. Kjo bën që, pavarësisht nga trendi i rritjes së stokut të borxhit, raporti të rezultojë i përmirësuar.Borxhi i brendshëm është rritur nga 561.1 miliardë lekë, në 572.5 miliardë lekë. Ndërkohë, borxhi i jashtëm është rritur gjithashtu, nga 504.6 miliardë, në 519 miliardë lekë.


Ndonëse ka tre vjet e gjysmë që ka ardhur në pushtet dhe ka mbajtur një nivel shumë të reduktuar shpenzimesh, me një rritje relativisht të mirë të ardhurash buxhetore, qeveria Rama vijon të ndjejë ende pasojat e zhytjes masive në borxhe për projektet e infrastrukturës nga qeveria e mëparshme.Më se 330 milionë euro u morën hua vetëm nga FMN për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj privatëve. Kurse disa borxhe të qeverisjes së mëparshme tani kanë filluar të paguhen me këste.


Po kështu, barra “elektorale” është ndjerë në buxhet me rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe me shpenzime të tjera. Por arritja e niveleve të rritjes ekonomike pranë 4 përqindëshit i “rregullon” këto parametra.Angazhimi i qeverisë është që të arrihet sa më shpejt një raport borxh publik/ PBB në nivelin 60 për qind, për të zbritur pastaj gradualisht në 40 për qind, që është një parametër pak më i vështirë për t’u arritur.


Më të lexuarat