Secondary Adv

Shqiperia futet ne sistemin e regjistrimit te makinave te BE-s


Me aderimin e Shqipërisë në Traktatin për Sistemin Europian të Institucionit për automjetin dhe lejen e drejtimit (EUCARIS), do të marrë fund trafiku i makinave të vjedhura në vendin tonë. Gjithashtu do të bëhet shumë i lehtë zbulimi i krimeve të ndryshme nga drejtuesit e mjeteve.


Komisioni për Politikën e Jashtme diskutoi dhe miratoi dje  projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin EUCARIS”, i cili synon futjen e Shqipërisë në Sistemin Europian të Informacionit për Automjetin dhe Lejen e Drejtimit (EUCARIS). Sistemi nuk është një bazë të dhënash, por një mekanizëm shkëmbimi që lidh regjistrat e mjeteve dhe drejtuesve të mjeteve të autoriteteve përkatëse të palëve.

 

Qëllimi i Sistemit Europian të Informacionit për Automjetin dhe Lejen e Drejtimit është që:
a) Të sigurojë që regjistrat qendrorë të automjeteve dhe lejet e drejtimit të jenë të saktë dhe të sigurt;
b) Të ndihmojë në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të shkeljeve ligjore të shteteve individuale në fushën e lejeve të drejtimit, regjistrimit të automjetit dhe mashtrimeve e krimeve të tjera në lidhje me automjetet;
c) Të shkëmbejë informacione me shpejtësi me synim rritjen e efikasitetit të masave administrative që merren nga autoritetet përkatëse sipas rregullave ligjore dhe administrative të palëve, si dhe garantimin e regjistrimit të tyre në përputhje me rregullat ndërkombëtare. Teksti i traktatit përmban 26 nene.

 

 

Autoritetet qendrore të regjistrimit duhet të ndërtojnë dhe të ruajnë një sistem të përbashkët për shkëmbimin e të dhënave për automjetet dhe lejet e drejtimit, i njohur si EUCARIS. Në kuadër të këtij sistemi autoritetet qendrore të regjistrimit duhet të lejojnë njëri-tjetrin të përdorin një pjesë të përzgjedhur të të dhënave të mbajtura në regjistrat qendrorë të automjeteve dhe lejeve të drejtimit të palëve. Për këtë qëllim, palët nënshkruese duhet të shkëmbejnë informacione me shpejtësi me qëllim rritjen e efikasitetit të masave administrative që merren nga autoritetet përkatëse sipas rregullave të brendshme ligjore dhe administrative.


Traktati parashikon edhe procedurat e funksionimit të sistemit, sipas të cilit çdo shtet autoritet qendror do të ketë hardware-in e tij, i cili duke përdorur një software të përbashkët lejon hyrjen në të dhënat e regjistrave të tij qendrorë të automjeteve dhe lejeve të drejtimit për arritjen e qëllimit të traktatit dhe ofron mundësinë e përdorimit të të dhënave të regjistrave të automjeteve dhe lejeve të drejtimit palëve të tjeranënshkruese. Në këtë mënyrë, palët aksesojnë në: regjistrin qendror të automjeteve të palëve nënshkruese dhe në regjistrin qendror të lejeve të drejtimit.


Anëtarët
Vendi ynë bëhet anëtar i Traktatit EUCARIS për automjetet dhe lejet e drejtimit. Aderimi në këtë traktat bëhet përmes depozitimit të instrumentit të aderimit te qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Anëtarët e këtij traktati janë shtete si: Belgjika, Qiproja, Estonia, Gjermania, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Rumania, Sllovakia, Suedia, Holanda, Britania, Norvegjia, Finlanda, Franca, Sllovenia, Çekia, Polonia, Bullgaria, Sllovakia dhe Zvicra./Gazeta Shqip


Më të lexuarat