Secondary Adv

Komisioni i Ekonomise miraton kredine 100 mln euro me BERZH per depozitat

 

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ofron një kredi prej 100 milionë euro për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave, me qëllim sigurimin e sektorit bankar në vend.


Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi ditën e djeshme ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave dhe BERZH-t. Ekspertë të ministrisë së Financave, gjatë prezantimit të projektit në komision, u shprehën se qëllimi i marrëveshjes është sigurimi i fondeve shtesë, përveç fondit të Agjencisë, për të përmbushur detyrimet e saj ligjore kundrejt depozituesve.

 


Garantimi i depozitave


Projekti merr një rëndësi të veçantë në fushën e sigurimit të sektorit bankar në vend dhe financohet nga BERZH-i me një kredi prej 100 milionë eurosh, me kushtin që të ketë garancinë e Republikës së Shqipërisë.


Kjo linjë kredie, kostot e së cilës do të përballohen nga buxheti i Agjencisë, është e dobishme pasi i garanton Agjencisë fondet e nevojshme për të kaluar nga raporti prej 3.7% i mbulimit të depozitave të siguruara në sistemin banker, në atë prej 6%. Rritja e këtij raporti mbulimi kontribuon pozitivisht në aftësinë e Agjencisë për t’ju përgjigjur detyrimeve ligjore, në rast ngjarjeje sigurimi.


Linja e kredisë është efektive në nivel bankash të siguruara, sepse garanton mbulim të plotë të dy bankave më shumë se sa lejon portofoli aktual i Agjencisë. Aktualisht, fondi i sigurimit të Agjencisë mbulon plotësisht 8 nga 16 bankat që kryejnë veprimtari në Shqipëri. Me fondet nga linja e kredisë ky mbulim shkon nga 8 në 10 banka. Gjithashtu, për 4 bankat e rradhës, për nga totali i depozitave të siguruara niveli i mbulimit shkon nga 40-50% në 70-80%.

Linja e kredisë do të mundësojë likuiditet në një kohë të shkurtër (7 ditë) për t’ju përgjigjur depozituesve, në rast ngjarjeje sigurimi. Kompensimi i shpejtë i depozituesve është i një rëndësie të veçantë për të mos lejuar që ngjarje të veçuara sigurmi të shtrijnë efektet e tyre në të gjithë sektorin financiar duke ndikuar në qëndrueshmërinë financiare të vendit.


Më të lexuarat