Secondary Adv

Shqiperia zgjidhet anetare e OKB-se per te Drejtat e Njeriut


Ministria e Punëve të Jashtme njofton se Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ) me 176 në zgjedhjet e mbajtura në Asamblen e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

 

Zgjedhja e Shqipërisë në KDNJ, sipas MPJ-së, përbën njëherazi vlerësim dhe garanci për angazhimin e saj të përhershëm në çështjet e të drejtave të njeriut në të gjitha frontet.

 

 

Në deklaratë thuhet se Shqipëria ka shumë për t’i ofruar botës nëpërmjet vlerave që e karakterizojnë si harmonia fetare, përkushtimi për fqinjësi të mirë, toleranca dhe mikpritja, si dhe nëpërmjet përvojës së përftuar gjatë reformimit të gjithanshëm që ka kaluar vendi.


“Shqipëria vlerëson se KDNJ ia ka arritur të ndërtojë një platformë vitale për çështjet tematike të të drejtave të njeriut kudo në botë, ku vendet anëtare kanë mundësinë për të diskutuar për to dhe për të marrë veprime konkrete për adresimin adekuat të tyre. Gjatë anëtarësisë së saj 3 vjeçare në KDNJ, Republika e Shqipërisë do të angazhohet për universalizimin dhe pandashmërinë e të drejtave të njeriut, për forcimin e tyre dhe të infrastrukturës së sistemit të OKB-së, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të Këshillit.

 


Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e saj për përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor dhe institucional, si dhe për avancimin më tej të politikave kombëtare dhe ndërkombëtare, në mbrojtje të të drejtave të njeriut”,-njofton ministia e Punëve të Jashtme.
KDNJ është një organ ndërqeveritar i OKB-së, 47 vendet anëtare të të cilit janë përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë pavarësisht kombësisë, vendbanimit, gjinisë, ngjyrës, fesë, gjuhës, apo ndonjë statusi tjetër.


Më të lexuarat