Secondary Adv

Cmimi i karburantit do te rritet me 12 leke nga janari 2015-es


Cmimi i karburtantit në vendin tonë do të rritet me 12 lekë për litër. Kjo është propozuar në paketën fiskale, të përgatitur nga qeveria shqiptare, e cila tashmë i ka kaluar biznesit për negociata, megjithëse në 20 vitet e fundit ata nuk kanë rënë dakort asnjëherë për ngritjen e taksave. Por me paketën e re fiskale nuk pritet të rritet vetëm cmimi i karburantit, i cili do të vijë përmes rishikimit të taksës së qarkullimit, por edhe tatimi mbi dividentin dhe të ardhura të tjera.


Karburantet


Burime të besueshme nga shoqatat e biznesit pohojnë se prej disa ditësh po diskutojnë paketën e re fiskale, për të cilën do të japin mendimet e tyre deri në fund të këtij muaji, ndërkohë që në nëntor pritet të diskutohet në komisionet përkatëse të Kuvendit të Shqipërisë. Një nga taksat që pritet të rritet është taksa e qarkullimit, e cila mbahet në çmimin e karburantit.


Aktualisht, kjo taksë është 17 lekë për çdo litër karburant dhe pritet që në fillim të vitit pasardhës të bëhet 27 lekë për çdo litër karburant, pa përfshirë këtu Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), e cila e rrit këtë vlerë me 5.4 lekë të tjera. Në relacionin për paketën e re fiskale, e cila u është shpërndarë për diskutim shoqatave të biznesit, thuhet se rritja prej 10 lekësh (100 lekë të vjetra) është propozuar, duke parë nivelin më të ulët që ka Shqipëria për këtë taksë në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe që kjo masë lidhet me mbrojtjen e mjedisit, si pasojë e reduktimit të konsumit të karburantit.
Rritja e taksës së qarkullimit pritet të sjellë automatikisht rritje tel çmimi i karburantit me të paktën 120 lekë për litër, duke sjellë një efekt pozitiv për zërin “Taksa kombëtare” dhe efekt negativ për konsumatorin shqiptar (çdo përdorues të një mjeti motorik), pasi pritet që vitin e ardhshëm, çmimi i naftës dhe i benzinës të shkojë më shumë se 200 lekë për litër.


Taksa e qarkullimit mbahet nëpërmjet karburantit që prej të paktën tre vitesh, ku fillimisht hyri me 2 lekë për litër. Në vitin 2012, kjo taksë u rrit në 5 lekë për litër, ndërsa në korrik të vitit të kaluar, qeveria, e cila po linte mandatin, e rriti me 2 lekë të tjera, duke e çuar në 7 lekë për litër. Por, rritja e taksës së qarkullimit nuk ndaloi me kaq. Qeveria e mazhorancës së re, që me paketën e parë fiskale, të cilën e miratoi në fund të vitit të kaluar, vendosi që kjo taksë të rritet me 10 lekë për litër (17 lekë gjithsej). Edhe sivjet pritet që të bëhet një rritje e tillë, të cilën qeveria e ka parashikuar në paketën e re fiskale, megjithëse kjo pritet të negociohet sërish dhe deri në miratimin e saj në fund të këtij viti, mund të ketë ndryshime, për më të lartë ose për më të ulët.


Tatimi mbi dividendin


Megjithatë, taksa e qarkullimit nuk është e vetmja që pritet të rritet, pasi janë të paktën 20 zëra në paketën e re fiskale që do të ndryshojnë. Veç akcizës për duhanin, që është diskutuar gjerësisht këto ditë në media, pritet të rritet edhe tatimi mbi dividendin dhe të ardhurat e tjera. Qeveria ka planifikuar të rrisë tatimin mbi dividendin dhe të ardhurat e tjera (përfshirë dhe ato mbi interesat e fituara nga depozitat) në 15%, nga 10% që është ky nivel aktualisht, me qëllim që ta barazojë me tatimin mbi fitimin për korporatat e mëdha. Një vit më parë, qeveria vendosi rritjen e tatimfitimit për korporatat e mëdha nga 10% në 15%, ndërsa përshkallëzoi tatimin mbi pagat (nga 0 deri në 23%), duke hequr dorë në këtë mënyrë nga taksa e sheshtë prej 10%, që ishte vendosur nga qeveria demokrate në vitin 2008. Qeveria mendon të barazojë këtë tatim me tatimin mbi fitimin, që mund të lindnin nga tatimet e diferencuara.


Rishikim pritet të ketë edhe për rentën minerare, për arsye se të ardhurat prej saj kanë pësuar një tkurrje. Sipas statistikave, gjatë tetëmujorit të këtij viti ka pasur një tkurrje me 9 për qind, pasi të ardhurat, nga 5.2 miliardë lekë kanë zbritur në 4.74 miliardë lekë./Gazeta Shqip


Më të lexuarat