Secondary Adv

Kanalizimet ne Vlore, 4 milion euro per sistemin e ri


Prej disa muajsh në qytetin e Vlorës kanë nisur punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve dytësore, çka do të mundësojë vënien në funksion të të gjithë sistemit të ndërtuar pak vjet më parë, me fonde të BE-së. Ky projekt kap vlerën e 4 milionë euro dhe është një investim  i rëndësishëm për Vlorën.

 


Burime zyrtare të Bashkisë thanë se, projekti i linjave dytësore i financuar nga BE me një vlerë prej 4 milionë euro, është një investim  i rëndësishëm, pasi realizon vënien në funksion të sistemit të kanalizimeve të ujrave të zeza, përmes lidhjes së objekteve të banimit dhe atyre publike, me linjën kryesore dhe impiantin e përpunimit të ujrave të zeza.
Sipas tyre, pas përfundimit të linjave në sektorin e unazës së qytetit, aktualisht punimet janë zhvendosur në brendësi të lagjeve.


Kanalizimet ne Vlore


Ndërkohë, më parë  përmes një fondi prej rreth 1 milionë euro ishte realizuar lidhja e pallateve të reja të banimit të ndërtuara në bregdetin e Ujit të Ftohtë.
Përfundimi i punimeve, që pritet të realizohet brenda një periudhe rreth 2 vjeçare,  do të mundësojë përfshirjen në sistemin e ri të kanalizimeve të ujrave të zeza të rreth 50 për qind të hapësirës urbane të qytetit, si dhe do të parandalojë derdhjen e këtyre ujrave në det.
Ky investim është pjesë e projektit të ujrave të zeza që përfundoi pak vjet më parë me një fond prej rreth 9.7 miliona euro të BE-së. Pjesë e këtij projekti është edhe impianti i përpunimit të ujrave të zeza, që ka përfunduar rreth 4 vjet më parë me financim nga BE-ja me një vlerë prej 2.69 milionë euro.
Burimet zyrtare të Bashkisë sqarojnë se, në tërësi ky projekt do të zgjidhë një nga problemet më shqetësuese të qytetit të Vlorës, trajtimin e ujrave të zeza dhe do të realizojë përmirësimin dhe ruajtjen e potencialit turistik të këtij qyteti. Ky sistem do të trajtojë 16 derdhje të pakontrolluara përgjatë bregdetit, që aktualisht shkojnë në det.


Më të lexuarat