Secondary Adv

Investimet ne infrastrukture, Veliaj: Do vijojme punen me rehabilitimin e 50 blloqeve te banimit

Tashmë edhe në njësinë numër 7 në Tiranë,  ka një park lojërash për argëtimin e fëmijëve të asaj zone. Gjatë  inspektimit të punimeve në zonën e njohur si  Fusha e Aviacionit, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u shpreh se krahas investimeve madhore në kryeqytet, Bashkia e Tiranës do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë ndërhyrjeve nëpër lagje dhe krijimit të mjediseve çlodhëse për të gjitha grupmoshat.


“Për shumicën e punimeve të infrastrukturës është momenti ideal që të bëhen gjatë verës sepse ka më pak lëvizje, njerëzit janë në plazh. Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët e kësaj zone që nuk do t’i kushtojmë rëndësi vetëm asaj që quhet infrastruktura e rëndë, siç kemi punuar te zona e Doganës, te rruga “Teodor Keko”, ujësjellës-kanalizime, rrugë, ndriçim, por edhe tek ajo që quhet infrastruktura e butë, që ka të bëjë me mjediset çlodhëse. Njerëzit duan të kalojnë kohë në gjelbërim, me stola, hije, argëtim dhe lojëra”, tha Veliaj.


Kreu i bashkisë  i bëri thirrje komunitetit që të ruajë investimet, ndërsa garantoi se edhe këtë vit do të ndërhyhet në 50 blloqe të tjera banimi. “Qytetarët të ruajnë këto investime të cilat janë asetet tona dhe besoj që duke i ruajtur, duke filluar nga linja e autobusit që kalon te Fusha e Aviacionit, tek ujësjellës-kanalizimet, tek infrastruktura dhe tek këto parqe, kemi më në fund komunitete të mira jo vetëm në sheshin ‘Skënderbej’, te Pazari i Ri, bulevardi, liqeni, por në çdo lagje të Tiranës. Këtë vit kemi përfunduar 50 blloqe investimesh, do të vijojmë me 50 të tjerë dhe besoj që deri në fund të mandatit do kemi prekur çdo bllok të qytetit të Tiranës. Është vetëm çështje kohe, sa të jemi tek rrugica apo rruga e lagjes tënde”, u shpreh kryebashkiaku. Këndi i lojërave në ish-Fushën e Aviacionit është i 17-ti që ndërtohet nga Bashkia e Tiranës, e mbështetur për këtë investim të radhës nga një bankë e nivelit të dytë.


Më të lexuarat