Secondary Adv

Shqiperia humb 3-0 ne tavoline, Serbia nuk i merr piket

 

Ndodhi ajo që përflitej prej ditësh nën zë dhe që i gjithë opinioni publik shqiptar i druhej. Shqipëria ka humbur ndeshjen 3-0 në tavolinë ndaj Serbisë, ndërkohë që kësaj të fundit i hiqen 3 pikë.


Ky është vendimi i Komisionit Disiplinor dhe të Etikës në UEFA dhënë sot në mëngjes për ndeshjen e ndërprerë në minutën e 41-të më 14 tetor në Beograd për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”.


Vendimi i UEFA-s
Shqipëria humbet 3-0 në tavolinë me Serbinë.
Shqipëria dënohet edhe me 100 mijë Euro gjobë.
Serbia gjobitet me 100 mijë Euro,
Serbia dënohet me 2 ndeshje pa tifozë
Serbia fitoi ndeshjen, por nuk i quhen 3 pikët

 



Sipas vendimit, Komisioni Disiplinor në Nion të Zvicrës, ka ndëshkuar me 100 mijë euro gjobë të dyja federatat ballkanike, ndërkohë që kombëtarja e Dik Advokatit do të luajë dy ndeshje pa tifozë. Ky është vendimi zyrtar i UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri, një vendim i cili duhej të jepej që dje, por për shkak të dosjeve voluminoze, kanë shtyrë dhënien e verdiktit për sot. Burime nga FSHF-ja, pohojnë se në këtë vendim ka ndikuar raporti i gjyqtarit anglez Atkinson, i cili ka shkruar se Shqipëria nuk ka pranuar të kthehet në fushë pas incidenteve të dhunës.


Një vendim sa i çuditshëm aq dhe absurd i UEFA-s, që fillimisht ka ndëshkuar kombëtaren kuqezi dhe më pas ka lënë pa pikë dhe skuadrën serbe, ndonëse kjo e fundit i ka marrë pikët në tavolinë dhe më pas i janë hequr sërish. Ky vendim ka të bëjë vetëm me fatin e ndeshjes, ndërsa për sa i takon ndëshkimeve të lojtarëve, masat e Komisionit Disiplinor do të merren në muajin nëntor. Gjatë incidenteve në fushë mes futbollistëve të të dyja ekipeve dhe tifozëve, ka pasur shtyrje, stola kokës dhe grushte. Sakaq, burime nga Federata Shqiptare e Futbollit bëjnë me dije se vendimi i UEFA-s ku Shqipërisë i jepet humbja në tavolinë 3-0 do të apelohet në Komisionin e Apelit të UEFA-s. Edhe nëse ky komision lë në fuqi vendimin e parë të qeverisë së futbollit evropian, atëherë shkalla e fundit për të përmbysur vendimin, është Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.


De Biazi i zhgënjyer: Na hoqën atë që merituam


Menjëherë pas vendimit të UEFA-s, ku Shqipëria ndëshkohet me heqjen e 3 pikëve në tavolinë në ndeshjen ndaj Serbisë, trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi ka mbetur i zhgënjyer.
“Jam i zhgënjyer për vendimin që ka marrë drejtësia, – ka thënë tekniku italian i kuqezinjve. – E mirëkuptoj komisionin që e ka pasur të vështirë t’i nxjerrë të dyja palët të humbura.  Por shqipërisë i hoqën atë që merituam në fushën e lojës. Çfarë duhet të ndodhte më shumë në Beograd?”.


Shulku: Do apelojmë vendimin. Asgjë nuk ka mbaruar këtu


Sekretari i Përgjithshëm  i FSHF-së, Ilir Shulku, nuk është dakord me vendimin e UEFA-s dhe ka pranuar se federata do të nisë që sot procedurat për apelimin e këtij verdikti. Sipas Shulkut, asgjë nuk ka mbaruar akoma dhe se beson që drejtësia do të vihet në vend.
“Do të ndjekim hapat ligjorë sipas procedurave, – tha Shulku. – Kemi pesë ditë që të kërkojmë arsyetimin e vendimit. Nuk jemi të kënaqur me vendimin, sepse meritonim më shumë. Kërkojmë atë që na takon. Në një ndeshje ku dhunuesi barazohet me të dhunuarit, nuk është diçka e drejtë. Nuk ka mbaruar asgjë këtu, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje dhe besojmë të marrim maksimumin. Mund të ketë ndikuar raporti i gjyqtarit anglez që ka shkruar se Shqipëria nuk pranoi të kthehej në fushë pas incidenteve”.


Më të lexuarat