Secondary Adv

Konkurrenca e biznesit me standarde, Shqiperia e fundit ne rajon per certifikimet ISO

Bizneset shqiptare ende vazhdojnë të hasin barriera për tregtimin e produkteve të tyre dhe në shumicën e rasteve, shkak është moszotërimi i certifikatave të nevojshme që garantojnë standarde. Kjo është ë vështirë, sidomos për ata që duan të eksportojë dhe ku konkurrenca bëhet edhe më agresive.


Në kuadër Ditës së Konkurrueshmërisë, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) solli edhe një herë në vëmendje raportin që kanë vendet e Europës Juglindore me certifikimin dhe sa konkurrues janë në tregun global. Të dhënat për Shqipërinë tregojnë një situatë jo dhe aq pozitive për një vend, e cila synon që në modelin e saj ekonomik të ketë rritjen e prodhimit dhe orientimin drejt eksporteve.


Raporti i OECD
“Numri i certifikatave të regjistruara të Organizatës Ndërkombëtarë të Standardizimit është një masë që tregon integrimin në zinxhirin global të vlerës dhe elasticitetin e investimeve. Certifikatat funksionojnë si një produkt i veçantë, ose shërbim apo sistem që është në përputhje me kërkesat dhe standardet. Ato mundësojnë tregtinë ndërkufitare, për të hyrë në ekonominë globale, duke mundësuar që operacionet e biznesit të jenë eficiente dhe të rritet produktiviteti i kompanive. Në rajonin e Europës Juglindore, numri i certifikatave ISO 9001 të regjistruara, për milion banorë është më i ulët se në Bashkimin Europian. Serbia ka nivelin më të lartë ndërsa Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi më të ulëtin” – thuhet në raport.


Shifrat sot
Por si qëndron në fakt Shqipëria në një raport më të gjerë se rajoni për certifikatat ISO? Të dhënat e fundit të publikuara nga Organizata Ndërkombëtarë e Standardeve tregojnë se, në raport me numrin e popullsisë, mbetemi të fundit. I dyti në listë është Mali i Zi dhe i treti Maqedonia (shih grafikun)
Rekordin për nivelin më të lartë të certifikatave ISO 9001 në raport me numrin e numrin e popullsisë e mban një nga partnerët kryesorë tregtarë tanët, Italia.


Organizata Ndërkombëtare e Standardizimit nuk është institucioni që lëshon këto të fundit, por vetëm mban bazën e të dhënave për ato certifikata që lëshohen nga trupa të pavarur që kanë fituar të drejtën e dhënies së këtij shërbimi kundrejt një tarife. Sa më shumë certifikata të zotërojë një biznes, aq më të vogla janë barrierat që has në tregun ndërkombëtar, pasi në bazë të marrëveshjeve tregtare, certifikatat njihen si garanci për plotësimin e standardeve dhe cilësisë.


Certifikime ISO 9001 (nr)
Shqipëria                      279
Bosnjë-Hercegovina       786
Kroacia                         2524
Mali i Zi                         84
Sllovenia                       1481
Serbia                           2505
Maqedonia                     361
Greqia                           6178
Bullgaria                        5385
Rumania                        20504
Italia                             131718


Më të lexuarat