Secondary Adv

Bumi i ndertimeve ne Tirane, vlera e pallateve ne janar-mars i kalon 120 mln euro

Vlera në shitje e objekteve që kanë marrë leje të ndërtohen në tremujorin e parë në kryeqytet i kalon të 16 miliardë lekë ose 120 milionë eurot. Shifra u zbardh nga Ministria e Financave, teksa raportoi se në tremujorin e parë të këtij viti, Bashkia e Tiranës ka arkëtuar 1.3 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.


Duke marrë në konsideratë se kjo taksë në Bashkinë e Tiranës paguhet 8% e çmimit të shitjes së objektit në momentin që merret leja, vlera e lejeve të dhëna shkon 16.2 miliardë lekë, ose më shumë se 120 milionë euro, duke marrë në konsideratë kursin aktual të këmbimit. Bumi i ndërtimeve që ka përfshirë Tiranën nuk po financohet me kredi bankare si para krizës së vitit 2008. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin e ndërtimit në tremujorin e parë për qytetin e Tiranës është rritur me vetëm 3 milionë euro, teksa shihet se 10 milionë euro, ndërtuesit i kanë paguar vetëm taksa.


Numri i lejeve të ndërtimit të dhënë në të gjithë vendin është 101 në tremujorin e parë të vitit, me një rënie vjetore 4.7%, por në kryeqytet, numri i lejeve ka shënuar një rritje vjetore 138%. Sipas të dhënave nga INSTAT, në janar-mars në Tiranë janë dhënë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje vitin e kaluar. Gjithashtu lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016, ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017, u dhanë 149 leje në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit.


Në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m². Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve të miratuara për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8%. Pak ditë me parë, Eurostat njoftoi se numri i lejeve të ndërtimit shënoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3%, ndërsa në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167%.


Më të lexuarat