Secondary Adv

Harta e tregtise, Gjermania dhe Kina nder partneret kryesore

Në kulmin e debatit publik që pasoi Samitin e Triestes për rritjen e bashkëpunimit  ekonomik në rajon, të dhënat e INSTAT tregojnë se harta e gjeografisë të tregtisë së Shqipërisë ka ndryshuar.

 

Si partnerë kryesorë tregtarë, në listë nuk janë shtuar fqinjët ballkanikë, por Gjermania dhe Kina. Kjo çështje është diskutuar në rubrikën “Para e pasuri” të Aurora Sulçes, me ekspertin dhe gazetarin ekonomik Elton Metaj. Ndërsa bashkëpunimi ekonomik rajonal është rikthyer në qendër të debatit publik pas Samitit të Triestes, Shqipëria po zgjedh si partnerë tregtarë të saj vende më të largëta.

 

Të dhënat e fundit të Instituti të Statistikave tregojnë se për pjesën e parë të këtij viti, Gjermania renditet pas Italisë, si partneri i dytë kryesor i vendit tonë, ndërsa në vendin e katërt pas Greqisë pozicionohet Kina. I ftuar në rubrikën “Para e pasuri” të Aurora Sulçes, eksperti dhe gazetari ekonomik Elton Metaj argumenton se zhvillimi në tregtinë me Gjermaninë nuk ka ardhur nga angazhimi politik mes dy vendeve.

 

Metaj: Shpesh herë efekti i një kompakti politik në një zhvillim tregtar nuk është kaq i shpejtë, duhet të kemi parasysh se pavarësisht vullnetit, dëshirës dhe deklaratave politike që mund të vinë nga Merkel, Kryeministri shqiptar apo qeveritë, efekti real tek tregtia vjen disa vite më vonë. Duhen  hapa real që tregtia të mund të zhvillohet, duhet të ketë struktura ekonomike të caktuara, kanale të caktuara, duhet të ketë një favor sa i përket shkëmbimit në mënyrë që ai vullnet politik që konstatohet sot apo vitet e shkuara mes Shqipërisë dhe Gjermanisë të mund të përkthehet realisht edhe në tregti. Duke u ndaluar te Samitit i Triestes, Metaj vlerëson se Shqipëria ka pasur gjithmonë probleme në hartimin e projekteve, me të cilat të paraqitet për të kërkuar financime nga Bashkimi Europian apo institucione të tjera financiare.

 

Metaj: Është e vërtetë që në Trieste nuk është se ndaheshin para, nuk kishte një thes të madh ku çdo shtet do të shkonte me një projekt në dorë për të marrë financimin. Por sigurisht Trieste ishte një hap drejt konsolidimit të një liste projektesh për tu financuar. Natyrisht është e vërtetë që Shqipëria nuk shkëlqen tek pjesa e projekteve.Është pjesa jonë më e dobët. Shpesh herë kemi pasur vullnete shumë të qarta nga shtete mike për të financuar por nuk kemi pasur projekte.Kudo që të shkosh në rast se nuki ke një projekt në dorë është e kotë të pretendosh, sado vullnet politik të ketë mes vendeve, për të marrë financim. Shqipëria tek projektet e ka pjesën e  saj më të dobët.Metaj e sheh të vështirë idenë e hedhur në Trieste për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, edhe pse konkretizimi i një nisme të tillë do të ishte në interes të të gjitha vendet, pasi do ta bënte Ballkanin atraktiv për investitorët e huaj.


Më të lexuarat