Secondary Adv

Sanksionet prekin TAP? Shqetesimi per perplasjet ruso-amerikane

Ekspertët europianë paralajmërojnë se sanksionet e reja amerikane ndaj Rusisë mund të rrezikojnë projekte të rëndësishme gazi në kontinentin e vjetër.

 

Ato mund të vënë në pikëpyetje korridorin jugor të gazit, që supozohet të furnizojë Gjeorgjinë, Turqinë, Shqiperine, Malin e Zi dhe Kroacinë me gaz nga Azerbajxhani.Por duke qenë se në projekt merr pjesë edhe Lukoil-i rus, shkruan “Total Croatia News”, sanksionet mund të bllokojnë të gjithë inciativën.  Ekonomia e Kroacisë, vend anëtar i Bashkimit Europian e ka ndjerë tashmë peshën e masave të marra kundër Rusisë dhe të dhënat e viteve të fundit tregojnë se rritja e eksporteve do të ishte ndjeshëm më e shpejtë pa sanksione.


Burime në Bruksel thonë se këtë herë, Bashkimi Europian do të bëhet tërthorazi viktimë e sanksioneve të Uashingtonit dhe po përpiqet ta bindë administratën amerikane të heqë dorë nga shtrirja e tyre.  “Ne shpresojmë në gjetjen e një zgjidhjeje e cila të mos i përkeqësojë marrëdhëniet SHBA-Rusi, që është dhe një prej objektivave të lidershipit europian”, citon portali të thonë disa diplomatë kroatë.


“Të gjithë janë të shqetësuar dhe ne besojmë se nuk do të ketë nevojë për hapa drastike në mbrojtjen e interesave europiane”, shtojnë më tej ata.  Në Bruksel duket se po diskutohet dhe mundësia e nisjes së një procesi gjyqësor kundër Shteteve të Bashkuara nëse vlerësohet se ekonomia europiane do të vuajë pasoja të mëtejshme nga sanksionet amerikane kundër Moskës.


Projektet që njihen së bashku si korridori i gazit përbëhen nga gazsjellësi ekzistues i Kaukazit jugor, që do të zgjerohet me një linjë paralele përmes Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë, TANAP, që transporton gaz nga fusha e Shah Denizit përmes Turqisë dhe TAP-i, që do të përshkojë Greqinë e veriut, Shqipërinë, detin Adriatik e më pas do të dalë edhe një herë në tokë në Italinë jugore.


Më të lexuarat