Secondary Adv

Financat analizojne ekonomine me 2017, rritja do te udhehiqet nga ndertimi dhe sherbimet

Ministria e Financave së fundmi analizoi zhvillimet ekonomike të vitit 2017, duke lënë të pandryshuar parashikimin për rritjen në nivelin 3.8% nga 3.46% që shënonte në 2016.

 

Qeveria, duke analizuar PBB-së nga ana e ofertës, pohon se rritjet më të mëdha për vitin 2017 do të vijnë nga sektorët e ndërtimit dhe industrisë me respektivisht 9.6% dhe 5.0%, por nga ana tjetër, për shkak të peshës së tij në strukturën e ekonomisë, kontributi më i madh në rritjen ekonomike të 2017 do të vijë nga sektori i shërbimeve, me një kontribut prej rreth 1.2 pikë përqindje. Ndërsa kontributi në rritjen ekonomike sipas kërkesës agregate për vitin 2017 do të vijë respektivisht +2.5 pikë përqindje nga konsumi, +2.4 nga investimet dhe -1.5 nga eksportet neto.



Rritjen më të madhe për vitin 2017 do ta ketë zëri i investimeve me 8.4%.

Perspektiva ekonomike pritet të vijojë  përmirësimin në periudhën afatmesme, analizon Ministria e Financave. Rritja ekonomike pritet të vijojë përshpejtimin e saj, e gjeneruar në masën më të madhe prej kërkesës së brendshme. Investimet, veçanërisht ato të Huaja Direkte si dhe konsumi, pritet të jenë gjeneratorët kryesorë të rritjes. Eksporti i mallrave, në reflektim edhe të tendencës së çmimeve ndërkombëtare të naftës bruto dhe mineraleve, pritet të ruajë ritmet e rritjes relativisht të larta të rezultuara gjatë katër muajve të parë të vitit, në linjë kjo me supozimet fillestare.

 

Në të njëjtën kohë, edhe eksporti i shërbimeve pritet të vijojë në linjë me parashikimet fillestare i udhëhequr nga eksporti i shërbimeve turistike. Rritja e konsumit privat pritet të vazhdojë të jetë në nivele relativisht të larta pozitive, duke reflektuar besimin e përmirësuar të konsumatorëve. Ekspertët në Ministrinë e Financave presin që rritja e konsumit privat të mbështetet edhe nga përmirësimet në tregun e punës me efekte pozitive në rritjen e të ardhurave të individëve. Megjithatë, konsolidimi fiskal do vijojë të reduktojë në mënyrë të konsiderueshme primet e risqeve dhe do të krijojë më shumë hapësira për aktivitetin ekonomik të sektorit privat. Rritja ekonomike pritet të gjenerojë një nivel relativisht të lartë punësimi, veçanërisht në periudhën afatmesme, pasi sektorët e prodhimit me intensitet të lartë të forcës së punës pritet të performojnë më mirë se të tjerët.


Më të lexuarat